VOA: Fituesja e çmimit Nobel për paqen dënohet me katër vjet heqje lirie

Azia

VOA: Fituesja e çmimit Nobel për paqen dënohet me katër vjet heqje lirie

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 14:21
Aung San Suu Kyi

Një gjykatë në Mianmarin e sunduar nga ushtria, dënoi të hënën udhëheqësen e rrëzuar, Aung San Suu Kyi, me katër vjet heqje lirie, nën akuzat për nxitje dhe shkelje të kufizimeve për shkak të koronavirusit.

Presidenti Win Myint u dënua gjithashtu me katër vjet heqje lirie, tha një burim që foli në kushte anonimiteti, pasi gjykata shpalli vendimet e para kundër zonjës Suu Kyi dhe udhëheqësve të tjerë civilë të arrestuar nga ushtria pas grusht shtetit të shkurtit të këtij viti.

Fituesja e çmimit Nobel për paqen, Suu Kyi, 76 vjeç, është arrestuar që nga grushti i shtetit së bashku me shumicën e udhëheqësve të lartë të partisë së saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD). Të tjerët janë jashtë vendit ose të fshehur dhe asnjë zëdhënës i partisë nuk ishte i qasshëm për ndonjë koment pas vendimit të sotëm të gjykatës.

Grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se akuzat kundër zonjës Suu Kyi-t ishin të rrejshme dhe e përshkroi dënimin me burg si shembullin e fundit të vendosmërisë së ushtrisë për të eliminuar të gjithë opozitën dhe për të shtypur liritë në vend.

“Të hënën, Suu Kyi u dënua me dy vjet për nxitje kundër ushtrisë dhe dy vjet të tjera për shkelje të ligjit të fatkeqësive natyrore në lidhje me COVID-19” i tha AFP-së me telefon zëdhënësi i juntës Zaw Min Tun.

Ushtria nuk ka dhënë hollësi se ku po mbahet zonja Suu Kyi dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse dënimi do të nënkuptonte ndonjë ndryshim të menjëhershëm të rrethanave në të cilat ndodhet ajo.

Gjyqi në kryeqytetin, Naypyitaw, u mbajt i mbyllur për mediat dhe organet e informimit publik të juntës, nuk i kanë përmendur procedurat. Avokatët e zonjës Suu Kyi-t e kanë të ndaluar të komunikojnë me median dhe publikun.

Aung San Suu Kyi përballet me një duzinë akuzash që përfshijnë korrupsionin dhe shkeljen e fshehtësive shtetërore që mund ta çojnë atë në burg për më shumë se një shekull./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat