DW/ Kazakistan: Presidenti urdhëron policinë të hapë zjarr

Azia

DW/ Kazakistan: Presidenti urdhëron policinë të hapë zjarr

Më: 8 janar 2022 Në ora: 14:11
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokajev

Presidenti i Kazakistanit i ka dhënë policisë urdhër që të hapë zjarr përballë protestave. Forcat e sigurisë lejohen të qëllojnë pa paralajmërim, tha Tokajevi. Autoritetet numërojnë tashmë më shumë se 40 të vdekur.    

Pas trazirave të rënda, Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokajev, ka dhënë urdhër që të qëllohet mbi demonstruesit militantë. "Unë urdhërova forcat e sigurisë dhe ushtrinë të hapin zjarr pa paralajmërim," tha Tokajevi në një fjalim televiziv. Nga bota vijnë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës.

"Ç'budallallëk! Çfarë negociatash mund të zhvillosh me kriminelë dhe vrasës?", tha Tokajevi. Kreu i shtetit tha se gjithsej 20000 "banditë" kanë sulmuar qytetin me miliona banorë të Almatyt, i cili ndodhet në juglindje të vendit të Azisë Qendrore, ku trazirat kanë qenë veçanërisht të dhunshme ditët e fundit. Ai gjithashtu i quajti protestuesit "terroristë" dhe njerëz të drejtuar nga jashtë.

Tashmë më shumë se 40 të vdekur

Kazakistani është tronditur prej disa ditësh nga përplasje të paprecedenta mes demonstruesve dhe policisë. Protestat, të drejtuara fillimisht kundër rritjes së çmimit të gazit, janë kthyer në protesta masive antiqeveritare në të gjithë vendin. Në mëngjes, televizioni kombëtar raportoi se tashmë janë vrarë 26 demonstrues. Përveç kësaj, më shumë se 3000 njerëz janë arrestuar. Frika është se tani mund të ketë më shumë viktima të tjera civile. Të paktën 18 anëtarë të forcave të sigurisë gjithashtu janë vrarë, sipas shifrave zyrtare.

Image
Trupa ruse ne Kazakistan

Tokajevi kishte shpallur më parë gjendje e jashtëzakonshme në të gjithë vendin dhe kishte kërkuar ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia. Në të përfshihen edhe Armenia, Bjellorusia, Kirgistani dhe Taxhikistani. Të enjten, njësitë e para të forcës paqeruajtëse mbërritën në vend. Tokajevi falënderoi presidentin rus Vladimir Putin për mbështetjen e tij: "Falënderoj veçanërisht presidentin rus Vladimir Putin. Ai reagoi shumë shpejt dhe mbi të gjitha me dashamirësi ndaj telefonatës sime."

Sipas të dhënave ruse, ushtarët tashmë kanë "rivendosur kontrollin" mbi aeroportin e Almatyt, qyteti më i madh në vend. Sapo mbërritën, ata filluan të "përmbushin misionet që u ishin besuar", tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, cituar nga agjencia e shtypit Interfax. U ndërmorrën veprime të përbashkëta me forcat e sigurisë kazake në aeroport. Aeroporti i qytetit qe pushtuar përkohësisht nga protestuesit.

Aktualisht është e vështirë të verifikohet që informacionet të verifikohen në mënyrë të pavarur. Interneti ndërpritet rregullisht në Kazakistan dhe kufiri për të huajt është mbyllur.

Kina mbështet ndërhyrjen ruse

Pas trazirave, qeveria kineze u rreshtua në mbështetje të ndërhyrjes së udhëhequr nga Rusia. "Kina mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë të ndihmojnë autoritetet e Kazakistanit për t'i dhënë fund kaosit sa më shpejt të jetë e mundur," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin. Kina gjithashtu kundërshton fuqishëm "forcat e huaja që qëllimisht krijojnë trazira sociale dhe nxisin dhunën”.

Me këtë pozicion, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze rreshtohet më fort se më parë krahas qeverive të Kazakistanit dhe Rusisë. Ai foli gjithashtu në një mënyrë të ngjashme për aktivitetet "terroriste të dhunshme" kundër të cilave po vepron qeveria e Kazakistanit. Një ditë më parë, Wangu kishte folur për trazirat si për një "çështje të brendshme" të vendit fqinj. Ai tha se ishte i sigurt për aftësinë e autoriteteve për ta trajtuar situatën në mënyrë adekuate./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat