Talibanët arrestojnë profesorin pas kritikave në rrjete sociale

Azia

Talibanët arrestojnë profesorin pas kritikave në rrjete sociale

Më: 9 janar 2022 Në ora: 10:35
Talibanët arrestojnë profesorin pas kritikave në rrejte sociale

Një profesor i njohur universiteti në Afganistan, i cili kritikoi hapur regjimin e talibanëve, është arrestuar në Kabul, tha një zëdhënës i qeverisë atje.

Profesori Faizullah Jalal ka bërë disa paraqitje në emisione televizive që kur qeveria e mëparshme e mbështetur nga SHBA-ja u rrëzua në gusht të vitit të kaluar, duke fajësuar talibanët për përkeqësimin e krizës financiare dhe duke i kritikuar ata për sundim mbi parimin e forcës.

Që nga kthimi në pushtet, talibanët kanë shtypur disidencën, duke shpërndarë me forcë protestat për të drejtat e grave dhe duke arrestuar për pak kohë disa gazetarë afganë.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid shkroi në Twitter se Jalal ishte arrestuar të shtunën për deklaratat që ai bëri në mediat sociale në të cilat ai akuzohet se "po përpiqej të nxiste njerëzit kundër sistemit dhe po luante me dinjitetin e njerëzve", raporton AFP.

“Ai është arrestuar që të tjerët të mos bëjnë komente të ngjashme të pakuptimta në emër të të qenit profesor apo studiues, deklarata që cenojnë dinjitetin e të tjerëve”, shtoi zëdhënësi i talibanëve, Mujahid.

Në një paraqitje televizive, Jalal e quajti një zëdhënës të talibanëve, "viç", një fyerje e rëndë në Afganistan.

Gruaja e Jalalit, Massouda, e cila dikur ishte kandidatja e parë grua e Afganistanit për presidente, postoi në Facebook se burri i saj ishte arrestuar nga forcat talibane dhe ishte ndaluar në një vend të panjohur.

"Dr. Jalal ka luftuar dhe ka folur për drejtësinë dhe interesin kombëtar në të gjitha aktivitetet e tij që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut," tha ajo.

Jalal, një profesor i drejtësisë dhe shkencave politike në Universitetin e Kabulit, ka pasur prej kohësh një reputacion si kritik i liderëve afgan.

Në Twitter, grupi i të drejtave Amnesty International dënoi arrestimin e pedagogut duke bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte.

Talibanët kanë formuar një kabinet qeveritar të përbërë vetëm nga burrat.

Ata kanë kufizuar më tej të drejtat e grave për të punuar dhe studiuar, duke shkaktuar reagim të gjerë ndërkombëtar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat