Rritet numri i viktimave nga shpërthimi në xhaminë në Kabul

Azia

Rritet numri i viktimave nga shpërthimi në xhaminë në Kabul

Më: 30 prill 2022 Në ora: 13:06
Qytetarët duke ikur pas sulmit në Kabul më 29 prill

Lideri i xhamisë Khalifa Sahib të Kabulit, që ishte cak i një sulmi vetëvrasës me bombë më 29 prill teksa ishin mbledhur besimtarët, tha se sulmi ka lënë të vrarë mbi 50 persona.

“[Nga sulmi] u shkaktua tym i zi që u shpërnda kudo, trupa të pajetë ishin kudo”, tha për Reuters lideri i kësaj xhamie, Sayed Fazil Agha. Ai tha se shpërthimi në këtë xhami suite ndodhi pasi dyshohet se një sulmues vetëvrarës shpërtheu eksplozivët teksa besimtarët ishin mbledhur për Lutjet e së Premtes.

Në xhaminë ku ndodhi sulmi, që më herët ishte një manastir sufist, besimtarët po luteshin në të premten e fundit të Muajit të Ramazanit, teksa besimtarët myslimanë po përgatiten të festojnë Bajramin.

Sipas shifrave zyrtare, të ofruara nga Qeveria e udhëhequr nga talibanët, dhjetë persona janë vrarë dhe mbi 30 janë plagosur.

“Numri i viktimave nga sulmi është rritur në dhjetë, ndërkaq numri i të plagosurve në 30. Detektivët dhe forcat e sigurisë kanë nisur hetim lidhur me incidentin”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë, Khalid Zadran, zëdhënës i policisë talibane në Kabul.

Dëshmitarët okularë i thanë Radios Azadi se kanë parë dhjetëra të vdekur dhe të plagosur në vendin ku ndodhi sulmi dhe se numri i viktimave është më i lartë sesa shifrat e paraqitura nga autoritetet.

Një punëtor shëndetësor i ka thënë Reuters se spitalet kanë pranuar mbi 65 të vdekur dhe të paktën 78 të plagosur.

Ky sulm, për të cilin askush nuk ka marrë përgjegjësi, është dënuar nga zyrtarë të ndryshëm.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, përmes një deklarate tha se keqbërësit do të gjenden dhe do të ndëshkohen,

Mette Knudsen, përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, po ashtu e dënoi sulmin.

“Nuk ka fjalë për të dënuar sa duhet këtë akt të neveritshëm”, shkroi ajo në Twitter.

Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se “ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin me afganët për të luftuar në mënyrë efektive terrorizmin”.

E dërguara e posaçme e Uashingtonit për gratë, vajzat dhe të drejtat e njeriut në Afganistan, Rina Amiri, shkroi në Twitter se ishte “thellësisht e pikëlluar për sulmin mbi xhamin në Kabul gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit” dhe bëri thirrje që dhunës së tillë t’i jepet fund dhe keqbërësit të dalin para drejtësisë.

Një shpërthim i ngjashëm kishte ndodhur një javë më parë në një manastir sufist në Kabul, ku u vranë të paktën 30 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Komuniteti hazara dhe grupe të tjera sufiste kanë qenë cak i një serie sulmesh në Afganistan kohëve të fundit. Shteti Islamik Khorasan ka marrë përgjegjësinë për shumë bombardime ndaj afganëve shiitë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat