Arrestohen dhjetëra mësues iranianë pas mbajtjes së protestave

Azia

Arrestohen dhjetëra mësues iranianë pas mbajtjes së protestave

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 18:24
Pamje nga protestat e mësuesve në Teheran, javë më parë.

Këshilli Koordinues i Sindikatës së Mësuesve në Iran ka thënë që më shumë se 100 mësues janë arrestuar për pjesëmarrje në protestat ku është kërkuar lirimi i mësuesve tjerë të burgosur, por dhe kushte më të mira të punës.

Përmes kanalit në Telegram, ky Këshill ka thënë më 17 qershor se 60 mësues në Shiraz, rreth 30 mësues në provincën në Kurdistan dhe mbi 16 mësues në provinca tjera janë arrestuar në protestat kombëtare që janë mbajtur një ditë më parë.

Mësuesit iranianë kanë protestuar për kushte më të mira të punës dhe paga më të larta.

Si përgjigje, autoritetet kanë marrë në pyetje dhe kanë burgosur një grup të protestuesve dhe aktivistëve, ndonëse këto masa nuk kanë ndalur marshet as në të kaluarën.

Ismail Abdi, Sekretari i Përgjithshëm i Asociacionit të Mësuesve, është në burg prej vitit 2015.

Autoritetet iraniane e kanë dënuar atë me gjashtë vjet burgim më 2016 për akuza që lidhen me “propagandë kundër qeverisë” dhe “përfshirje kundër sigurisë kombëtare”.

Javëve të fundit është raportuar për më shumë protesta në Iran, si pasojë e uljes së standardit të jetesës.

Ligji i Punës në Iran nuk e njeh të drejtën për të krijuar sindikata të pavarura./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat