I dyshuari për terrorizëm hedh veten në erë në Arabinë Saudite

Azia

I dyshuari për terrorizëm hedh veten në erë në Arabinë Saudite

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 16:09
Mjete shpërthyese të sekuestruara nga anëtarë të Shtetit Islamik në Arabinë Saudite. 12 shtator, 2017.

Një person i dyshuar për një sulm vdekjeprurës të vitit 2015 të kryer nga Shteti Islamik në një xhami saudite hodhi në erë veten ditën e premte ndërsa po arrestohej nga forcat e sigurisë në kryeqytetin Jeddah.

Katër të tjerë u plagosën kur shtetasi saudit Abdullah bin Zayed al-Bakri al-Shehri shpërtheu brezin e eksplozivëve, thanë autoritetet saudite.

Ai ishte një nga nëntë personat e kërkuar për shpërthimin që vrau 15 persona -- kryesisht policë -- pranë kufirit me Jemenin.

“Kur nisën procedurat për arrestimin e tij, ai hodhi veten në erë me një brez me eksplozivë, i cili rezultoi në vdekjen e tij dhe plagosjen e një banori dhe tre punonjësve të sigurisë”, thuhet në një deklaratë të presidencës së sigurimit shtetëror të transmetuar nga agjencia zyrtare e shtypit saudite.

Al-Shehri, 39 vjeç, ishte numri katër në një listë me nëntë të dyshuar në shpërthimin e vitit 2015, një nga sulmet më vdekjeprurëse të Arabisë Saudite në vitet e fundit. Numri pesë i kësaj liste u arrestua në maj 2016-të.

Xhamia e shënjestruar nga IS frekuentohej nga anëtarë të një njësie speciale të armëve dhe taktikave të policisë në qytetin jugor Abha.

Sulmi, i marrë përsipër nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik, pasoi nisjen e një fushate ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen në vitin 2015-të, pasi rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin Sana./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat