Indi, pagesa nëpërmjet internetit edhe në zonat rurale

Azia

Indi, pagesa nëpërmjet internetit edhe në zonat rurale

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 20:47
Indi

Në Indi, banorët tani po përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë, ndërsa kohët e fundit pagesat nëpërmjet internetit janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Një sistem i sigurt në internet i krijuar nga qeveria po transformon mënyrën se si po bëhet biznesi në zonat e gjera rurale të vendit.

India ka pësuar një transformim dramatik për mënyrën e të bërit biznes, ndërsa njerëzit, edhe në fshatrat më të largët, mund të bëjnë pagesa në mënyrë dixhitale.

Në vend të pagesave me para në dorë, ata përdorin një aplikacion që nëpërmjet një telefoni celular inteligjent mund të skanojnë një kod dhe më pas të bëjnë pagesën në internet.

“Edhe nëse dikush blen vetëm gjysmë kilogram perime, ai mund të paguajë në mënyrë dixhitale. Ne mund të bëjmë transaksione të vogla”, thotë Nishant Sharma, pronar i një biznesi fruta-perimesh.

Ndërsa qasja në internet dhe telefonat inteligjentë po arrijnë tek grupet e banorëve me të ardhura më të ulëta në Indi, dyqanet e vogla në fshatra po pranojnë pagesa dixhitale, njësoj si dyqanet e qyteteve të mëdha.

Banorët nuk përdorin karta krediti, apo debiti, por qeveria ka krijuar një sistem të sigurt në internet, që është më i lirë, i lehtë për tu përdorur dhe shumë i shpejt.

Ky sistem nuk ka tarifa tregtare dhe mund të përdoret për transaksione të vogla si dhe për të bërë transferta të menjëhershme nëpër llogaritë bankare.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi tha në një fjalim për Ditën e Pavarësisë se risi të tilla po sjellin përfitime për zonat rurale.

“Sot, 40% e transaksioneve dixhitale në kohë reale të bëra në botë ndodhin në Indi”, deklaroi ai.

Ky sistem është një nga teknologjitë transformuese që lidh zonat rurale të Indisë në epokën dixhitale. Sipas analistëve ekonomia informale e vendit që ishte e madhe dhe e dominuar nga paraja fizike tani po kalon tek pagesat në internet.

Ky pronar dyqani thotë se rreth 70% e klientëve të tij kanë filluar të paguajnë nëpërmjet sistemit online. Ai thotë se puna e tij është lehtësuar.

“Sa herë që hap aplikacionet PhonePe ose Google Pay në llogarinë time të biznesit shikoj të gjitha transaksionet. Kur përdornim pagesat në para, kjo më krijonte më shumë probleme. Më pas duhet të shkoja në bankë të depozitoja paratë”, thotë Akhilesh Sharma.

Pagesat dixhitale nxisin njerëzit të bëjnë biznes, si në këtë panair fshati. Tregtarët nuk shqetësohen për sigurinë e pagesës, ndërsa klientëve nuk u duhet të mbajnë para me vete.

“Më përpara kur shkoja në një vend të mbushur me njerëz, shqetësohesha se mos më vidhnin portofolin. Tani gjithçka që më duhet, është telefoni për të bërë një pagesë”, thotë Vikas Sharma, banor në fshatin Palampur.

“Nuk duhet të shqetësohem nëse nuk kam para me vete. Nuk më duhet të qëndroj në radhë për të tërhequr lekë nga banka”, thotë një tjetër banor.

Ekspertët thonë se ka ende disa boshllëqe, si për shembull shpejtësia e internetit. Megjithatë qasja në internet në Indi është rritur ndjeshëm dhe autoritetet presin që banorët të përdorin më shumë sisitemin e pagesave në internet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat