Kirgizia raporton për mbi 30 të vrarë në përleshjet në kufi me Taxhikistanin

Azia

Kirgizia raporton për mbi 30 të vrarë në përleshjet në kufi me Taxhikistanin

Më: 18 shtator 2022 Në ora: 09:51
Një ushtar merr pjesë në ceremoninë e varrimit më 18 shtator të një ushtari të vrarë kirgiz në luftimet e fundit.

Autoritetet në Kirgizi thanë se numri i të vrarëve në luftimet përgjatë kufirit me Taxhikistanin ka arritur në 36, teksa një armëpushim mes dy shteteve ka hyrë në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë e Kirgizisë tha më 18 shtator se edhe 12 trupa të tjerë janë nxjerrë nga rajoni Batken, që është një prej vendeve më të prekura nga luftimet.

Përleshjes midis Kirgizisë dhe Taxhikistanit janë më të këqijat që nga viti 2021, kur dhjetëra persona u vranë dhe të paktën 150 të tjerë u plagosën në të dyja anët e kufirit.

Taxhikistani ende nuk ka publikuar numrin zyrtar të të vrarëve, por zyrtarë të paidentifikuar i thanë Shërbimit Taxhik të Radios Evropa e Lirë se të paktën 39 shtetas të Taxhikistanit kanë vdekur si pasojë e konfliktit në kufi.

Në orët e vona të 17 shtatorit, pasi armëpushimi hyri në fuqi, të dyja palët raportuan se disa fshatra afër kufirit u goditën nga granatimet.

Autoritetet në Taxhikistan akuzuan forcat kirgize se kanë përdorur sisteme të raketahedhësve dhe nga kanë sulmuar nga rajoni Osh komunitetet rurale në qarkun Laksh më 17 shtator.

Zyrtarët taxhikë thanë se katër persona u plagosën dhe tre shtëpi u shkatërruan. Por, këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Shkaku i shpërthimit të dhunës së fundit është ende i paqartë. Tensionet në Azinë Qendore, veçmas në Luginën Osh, burojnë kryesisht për shkak të kufijve të kohës sovjetike që në mënyrë artificiale ndan grupet etnike dhe komunitetet.

Qasja në ujë po ashtu ka rritur tensionet, teksa ndryshimet klimatike po i bëjnë burimet e ujit më të pakta.

Më herët gjatë javës, shërbimi i rojeve kufitare të Kirgizisë akuzoi forcat e Taxhikistanit se po përdorin tanke, mjete të blinduara dhe mortaja. Taxhikistani, në anën tjetër akuzoi forcat kirgize se kanë bombarduar një qendër komanduese dhe shtatë fshatra me “artileri të rëndë”.

Të dyja shtetet kanë baza ushtarake ruse, por Moska nuk ka luajtur ndonjë rol në luftimet e fundit. Zyrtarët rusë më 16 shtator bënë thirrje për ndaljen e luftimeve.

Mbi 140.000 persona janë evakuuar nga zona e Batkenit, tha Ministria e Emergjencave të Kirgizisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat