​Tre të vrarë në protestat e mëdha në Iran

Azia

​Tre të vrarë në protestat e mëdha në Iran

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Autoritetet iraniane konfirmuan të martën se tre persona ishin vrarë gjatë protestave për vdekjen e një gruaje të re në paraburgim, por kërkuan të lironin forcat e sigurisë nga përgjegjësia, duke thënë se vrasjet ishin "të dyshimta".

Organizatat humanitare bëjnë të ditur se në protesta kanë humbur jetën pesë persona.

Protestat në Iran vazhduan të martën vonë, me policinë që u përgjigj me gaz lotsjellës, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars.

Guvernatori i Teheranit Mohsen Mansouri akuzoi agjentët e huaj për nxitje të dhunës në kryeqytet.

Trazirat në disa pjesë të Iranit janë përleshjet më të mëdha në rrugë që kur iranianët protestuan kundër mungesës së ujit vitin e kaluar.

Iranianët dolën në rrugë jo vetëm për të drejtat e grave, por edhe për sigurinë në vend dhe veçanërisht për ekonominë e prekur nga sanksionet ndërkombëtare.

Iranianët po protestojnë për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim pasi u arrestua javën e kaluar nga policia e trazirave për gjoja mosbindje ndaj rregullit të hixhabit, shkruan BBC. Dëshmitarët pohojnë se policia e ka çuar në një automjet dhe e ka rrahur.

Në një përpjekje për të lehtësuar tensionet, një ndihmës i Udhëheqësit Suprem të Iranit shprehu ngushëllimet e tij për familjen e saj. Amini ishte nga provinca e Kurdistanit dhe organizata humanitare kurde Hengaw njoftoi të hënën se në atë pjesë të Iranit, forcat e sigurisë vranë tre persona kur qëlluan mbi protestuesit.

Guvernatori i Kurdistanit konfirmoi tri vdekjet, por tha se ato ishin të dyshimta dhe se nuk dihej se kush ishte përgjegjës.

“Një qytetar i Divandarrehut është vrarë me një armë që nuk është përdorur nga grupet e armatosura”, tha Esmail Zarei Kusha.

Hengaw njoftoi të hënën se dy persona u vranë në qytetin kurd të Saqez, vendlindja e Aminës, dhe një i pesti u vra në Degholan, gjithashtu në Kurdistan. Organizata pretendon se vetëm të hënën janë plagosur 75 persona.

Ushtruesi i detyrës së komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nada al-Nashif, shprehu shqetësimin për dhunën nga forcat e sigurisë dhe vdekjen e Msahsa Amini, si dhe dhunën kundër protestuesve.

Organizata joqeveritare Iran Human Rights (IHR), me seli në Oslo, njoftoi se katër persona që thërrisnin sloganet “Vdekje diktatorit” dhe “Grua, jetë, liri” u vranë.

IHR u bëri thirrje vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin, veçanërisht Bashkimin Evropian, të ndalojnë vrasjet e reja të drejtuara nga shteti, duke i kërkuar qeverisë në Teheran të respektojë të drejtat e njeriut.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë të martën i bëri thirrje udhëheqjes së Iranit që të dëgjojë gratë që protestojnë në rrugë për vdekjen e një gruaje në paraburgim, sepse ato u ngritën për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut.

"Ato duhet të dëgjohen sepse këto gra kërkojnë të drejta që duhet t'i kenë të gjithë njerëzit," tha Annalena Baerbock në Nju Jork, ku mbërriti për seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat