Iran, gratë udhëheqin protestat kundër qeverisë

Azia

Iran, gratë udhëheqin protestat kundër qeverisë

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Në mbarë Iranian vazhdojnë protestat pas vdekjes në duart e policisë të 22-vjeçares Mahsa Amini. Më shumë se dhjetë ditë më parë, ajo u arresua nga policia morale, sepse nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin. Ndërkohë, iranianët kanë mbushur rrugët dhe po djegin shamitë në shenjë proteste ndaj autoriteteve. Uashingtoni ndërkohë po shpreh mbështetjen për demostratat.

“Ky është viti i gjakut”, brohorasin demonstruesit në Teheran. Ndërsa ushtria është futur në rrugët e qytetit, Irani po përjeton javën e dytë të trazirave masive pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Ajo u zhduk pasi u ndalua nga policia në fillim të muajit për shkelje të paqarta të ligjeve të moralit. Tre ditë më vonë ajo u gjet e vdekur. Irani thotë se ka dhënë urdhër për hetime. Vdekja e zonjës Amini ka ripërtërirë thirrjet kundër Republikës Islamike, ndërsa protestat kanë fituar mbështetje botërore.

Protestat botërore përkuan me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i cilësoi sanksionet perëndimore si armë e shkatërrimit në masë kundër popullit iranian. Ai la të kuptohet se është i gatshëm për t’u kthyer në bisedimet, që synojnë ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Image
Senator John Barrasso (R-WY) talks to journalists in an elevator at the United States Capitol building in Washington

“Irani është shtet sponsorizues i terrorizmit. Ata vazhdojnë me thirrjet për vdekjen e Amerikës. Nuk mund t’i lejojmë ata të kenë armë bërthamore. Kjo administratë është shumë e etur për një marrëveshje bërthamore me Iranin. Nuk duhet ta bëjmë këtë. Kjo administratë dëshiron të dërgojë dhjetëra miliarda dollarë në Iran për një marrëveshjes që nuk do të jetë e mirë për Amerikën”, tha senatori republikan John Barrasso.

Ndërsa demonstruesit përleshen me policinë dhe djegin publikisht shamitë, një sfidë e ndjeshme ndaj pushtetit, administrata e Presidentit Biden premton angazhimin për bisedimet bërthamore dhe mbështetjen për demonstratat për të drejtat e grave.

Image
Jake Sullivan

“Ato (demonstratat) pasqyrojnë një besim të thellë në mesin e popullit iranian, grave iraniane, se ata meritojnë dinjitetin dhe të drejtat e tyre. Shtetet e Bashkuara janë shprehur qartë dhe me vendosmëri, siç u shpreh Presidenti Biden nga tribuna e OKB-së, në emër të të drejtave universale të njeriut për të gjithë qytetarët dhe të gjitha gratë në Iran”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Kur flitet për drejtat e grave, Irani renditet ndër të fundit në shkallë globale. Sipas një raporti të vitit 2020 nga Forumi Ekonomik Botëror, vetëm Republika Demokratike e Kongos, Siria, Pakistani, Iraku dhe Jemeni kanë gjendjen më të keqe. Gratë që dalin pa hixhab në publik mund të përballen me shumë vite pas hekurave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat