Protesta në Kinë kundër masave mbi COVID-19

Azia

Protesta në Kinë kundër masave mbi COVID-19

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Kanali britanik Sky News transmetoi sot pamje filmike që tregonin një tubim paqësor në një nga rrugët e Shangait, pranë vendit ku më herët ishin zhvilluar protesta kundër politikave të ashpra të Kinës për frenimin e COVID-19-s, e ashtuquajtura politika zero tolerancë COVID-it Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e udhëheqësit kinez mes zemërimit në rritje ndaj pasojave që po sjellin masat kufizuese kundër koronavirusit.

Policia i shtyu protestuesit prapa një kordoni dhe një numër njerëzish u arrestuan, thuhet në raportin e kanalit Sky News.

Protestat janë përhapur në të gjithë Kinën që kur një zjarr vdekjeprurës në një apartament në qytetin veriperëndimor të Urumqit ngriti shumë pikëpyetje mbi masat e ashpra kundër koronavirusit.

Që nga e premtja protestat po mbahen në të gjithë vendin. Protestat në rrugë janë jashtëzakonisht të rralla në Kinë.

Në Shangai demonstruesit kërkuan dorëheqjen e udhëheqësit kinez Xi Jinping ndërsa nderuan në heshtje viktimat e një zjarri në qytetin Urumqi.

Protestat u shoqëruan me thirrjet “Poshtë Partia Komuniste Kineze! "Poshtë Xi Jinpingu!"

Turmat e njerëzve mbanin në duar fletë të bardha në shenjë proteste kundër censurës dhe bënin thirrje për liri ndërsa mbaheshin nën vëzhgim nga një grup i madh forcash të sigurisë.

Dëshmitarët thanë se gjatë protestës ata dëgjuan gjithashtu thirrje si "Hiqni masat kufizuese në Urumqi, Xinjiang, dhe në të gjithë Kinën!".

Zjarri i së enjtes që shkaktoi vdekjen e 10 personave në një ndërtesë shumëkatëshe në Urumqi, kryeqyteti i rajonit të Xinjiangut, ka shkaktuar zemërim të gjerë publik. Shumë përdorues të internetit thanë se banorët nuk arritën të shpëtohen në kohë sepse ndërtesa ishte pjesërisht e mbyllur për shkak të masave kundër Covid-19. Zyrtarët e qytetit e kanë mohuar këtë gjë.

Zjarri ka nxitur një valë mosbindjeje civile që nuk është parë në Kinë, që nga ardhja në pushtet e Presidentit Xi Jinping një dekadë më parë. Pekini po vazhdon të zbatojë politikën e tolerancës zero ndaj COVID-it, megjithëse pjesa më e madhe e botës i ka hequr masat kufizuese të lidhura me pandemisë dhe po përpiqet të bashkëjetojë me koronavirusin.

Ju fitoni para dhe nuk e keni përjetuar papunësinë. Po ne çfarë të bëjmë?! Kanë kaluar tashmë tre vite”, thërriste një protestuese.

Ndonëse rastet me COVID në Kinë janë më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të botës, në ditët e fundit ato janë rritur në nivele rekord. Autoritetet kineze njoftuan të dielën se një ditë më parë janë regjistruar rreth 40,000 infeksione të reja me Covid-19./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat