Protestuesit në Iran fillojnë grevë treditore mbarëkombëtare

Azia

Protestuesit në Iran fillojnë grevë treditore mbarëkombëtare

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 00:44
Foto ilustrim

Protestuesit në Iran filluan një grevë tre ditore të hënën në vazhdën e trazirave të shkaktuara nga vdekja në shtator e një gruaje kurde iraniane që ishte ndaluar nga policia e moralit.

Protestuesit u bënë thirrje pronarëve të dyqaneve në mbarë vendin që të mbyllin bizneset e tyre deri të mërkurën, duke kërkuar reformim të qeverisjes.

Videot e publikuara të hënën në mediat sociale tregonin dyqanet e mbyllura në zonat tregtare të disa qyteteve, përfshirë në Teheran, Karaj, Isfahan, Mashhad, Tabriz dhe Shiraz, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se gati një e treta e dyqaneve ishin mbyllur në Pazarin e Madh të Teheranit.

Dëshmitarët thanë se forca të shumta speciale të policisë ishin dislokuar në qendër të Teheranit.

Kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni-Ejei, urdhëroi arrestimin e personave që inkurajojnë pronarët të mbyllin dyqanet.

Greva vjen ndërsa pati konfuzion për statusin e policisë së moralit, e cila zbaton rregulla të rrepta për veshjen e grave.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve ISNA citoi kryeprokurorin e Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, të jetë shprehur në një raport të shtunën se policia e moralit “ishte mbyllur”.

Megjithatë, aktivistët kishin shprehur dyshime se ishin ndërmarrë veprime të tilla. Deri të dielën, media shtetërore Al-Alam qarkulloi një lajm ku thuhej se gjyqësori, pjesë e të cilit është edhe zoti Montazeri, nuk mbikëqyr policinë e moralit.

Zyrtarët e qeverisë nuk kanë komentuar publikisht për çështjen.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se ishin parë më pak oficerë të policisë së moralit në qytetet iraniane gjatë javëve të fundit dhe se ishte bërë më e zakontë që gratë të ecnin rrugëve pa veshur hixhab.

Demonstratat kundër qeverisë në Iran filluan pasi 22 vjeçarja Mahsa Amini u arrestua nga policia e moralit për shkak se nuk kishte veshur hixhabin siç duhet. Vdekja e saj ndërsa mbahej nga policia shkaktoi një valë protestash, gjatë të cilave grupet e të drejtave të njeriut thonë se janë vrarë të paktën 471 persona./VOA

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters, dhe AFP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat