Rënie e madhe e tregtisë së jashtme kineze

Azia

Rënie e madhe e tregtisë së jashtme kineze

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 08:35
Foto ilustrim

Inflacioni i lartë zbeh dëshirën për të blerë dhe rrjedhimisht nevojën për mallra "Made in China". Bien dukshëm eksportet dhe importet kineze. 

Rënia më e madhe e eksporteve kineze që nga fillimi i pandemisë Corona më shumë se dy vjet e gjysmë më parë ka shkaktuar shqetësime për një rënie ekonomike globale. Eksportet kineze kanë rënë 8.7 për qind në nëntor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga agjencia doganore të mërkurën. Kjo është rënia më e madhe që nga shkurti 2020.

Importet kanë rënë madje edhe më shumë - ato ishin 10.6 për qind më të ulëta se në nëntor 2021. Kjo ishte jo vetëm rënia e dytë radhazi, por edhe më e madhja që nga maji 2020.

Image
Eksporti dikur ishte më i mirë

Rënia e tregtisë së jashtme kineze po prek edhe eksportuesit gjermanë. Eksportet gjermane drejt Kinës ranë me 17.5 për qind. Eksportet e Kinës drejt Gjermanisë gjithashtu ranë me 14.4 për qind. Rënia e eksporteve kineze në SHBA ishte edhe më e madhe, me 25.4 për qind, ndërsa Kina importoi 7.3 për qind më pak nga SHBA.

Dështimi i politikës "Zero-COVID" 

Zyra Kombëtare e Statistikave në Kinë pranoi se pandemia Corona kishte "efekte negative në prodhimin dhe aktivitetet e disa kompanive". Prodhimi është ngadalësuar, ndërsa porositë kanë rënë. Furnizuesit u ankuan për problemet e transportit dhe logjistikës. Kërkesa në tregjet brenda dhe jashtë vendit ka rënë për shkak të, ndër të tjera, recesioneve të pritshme dhe çmimeve të larta të energjisë.

Image
Rënia e eksporteve dhe importeve kineze

Pekini tani ka lehtësuar disa nga kufizimet e rrepta të Coronës për shkak të presionit në rritje nga popullsia. Eksportet pritet të bien edhe në tremujorët e ardhshëm, tha ekonomisti Julian Evans-Pritchard i Capital Economics. "Ata do të kenë një rritje të kufizuar nga lehtësimi i kufizimeve," tha Evans-Pritchard. "Por rënia e kërkesës globale për mallrat kineze do të jetë me një rëndësi shumë më të madhe." Kjo është për shkak të recesionit të pritur global.

Për shkak të politikës së qeverisë "Zero-COVID", ka ndërprerje të vazhdueshme të prodhimit në ekonominë e dytë më të madhe në botë pas SHBA-së. Ajo është nën presion edhe për shkak të krizës së pasurive të paluajtshme. Për më tepër, tregtia globale është më e dobët për shkak se klientët e rëndësishëm të eksportuesve kampionë botërorë, si SHBA dhe Gjermania, vuajnë nga inflacioni i lartë, prandaj konsumatorët dhe kompanitë po shkurtojnë shpenzimet e tyre.

Rritja e dobët ekonomike

Qeveria i është përgjigjur rritjes së ngadaltë ekonomike me një sërë vendimesh muajt e fundit, duke përfshirë uljen e sasisë së parave të gatshme që bankat duhet të mbajnë si rezerva. Kjo çliron më shumë para për kredi. Por analistët mbeten skeptikë se masat do të sjellin rezultate të shpejta pasi do të duhet kohë që kontrollet e pandemisë të jenë plotësisht të relaksuara.

Ekonomia e Kinës u rrit me vetëm 3 për qind në tre tremujorët e parë të këtij viti. Kjo është shumë më pak se objektivi vjetor i qeverisë kineze prej rreth 5.5 përqind. Analistët presin rritje prej pak më shumë se tre për qind në nivel vjetor. "Nëse bie kërkesa globale në vitin 2023, Kina do të detyrohet të orientohet edhe më shumë në kërkesën e brendshme”, tha kryeekonomisti i Pinpoint, Asset Management, Zhiëei Zhang.

Banka Botërore bën thirrje për reforma të mëtejshme strukturore dhe paralajmëron për rreziqe financiare. "Në periudhën afatmesme, ekonomia e Kinës do përballet ende me një rënie strukturore”, thuhet në një analizë. "Rritja e mundshme po përballet me një trend negativ për shkak të demografisë së pafavorshme, rritjes së ngadaltë të prodhimit dhe kufizimeve në rritje."/DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat