Guvernatori taleban i provincës afgane vritet në një shpërthim me bombë

Azia

Guvernatori taleban i provincës afgane vritet në një shpërthim me bombë

Më: 9 mars 2023 Në ora: 11:22
Provinca e Balkh, Afganistan.

Guvernatori taleban i provincës Balkh të Afganistanit u vra në një shpërthim në zyrën e tij më 9 mars, thanë zyrtarët.

“Mohammad Dawood Muzammil, guvernatori i Balkh-ut, është vrarë në një shpërthim këtë mëngjes”, tha për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë, Asif Waziri, zëdhënësi i policisë talebane nga kjo provincë.

Ai bëri të ditur se dy persona të tjerë u vranë në këtë sulm dhe dy u plagosën. Shkaku i shpërthimit nuk u bë i ditur menjëherë.

Disa raporte të mediave lokale thanë se më shumë se 30 njerëz u plagosën nga shpërthimi dhe u dërguan në spital për trajtim.

Zëdhënësi i qeverisë së udhëhequr nga talebanët, Zabihullah Mujahid, shkroi në Twitter se Muzammil ishte "martirizuar në një shpërthim nga armiqtë e Islamit" dhe tha se janë hapur hetimet për sulmin.

Muzammil është një nga zyrtarët e rangut më të lartë taleban që është vrarë që kur ata u kthyen në pushtet, në gusht të vitit 2021.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin deri tani, por pas kthimit në pushtet në vitin 2021, talebanët janë shënjestruar nga Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), një fraksion i organizatës terroriste Shtetit Islamik që është shfaqur si rivali kryesor i talebanëve në luftë.

Muzammil u emërua guvernator i Balkhit vitin e kaluar pasi mbajti të njëjtin pozicion në provincën lindore Nangarhar, ku ai koordinoi një goditje ndaj militantëve të IS-K.

IS-K ka organizuar disa sulme në Afganistan kohët e fundit, duke përfshirë një në janar, në të cilin një sulmues vetëvrasës vrau të paktën 10 persona pranë Ministrisë së Jashtme në Kabul.

Muajin e kaluar, forcat e sigurisë talebane pretenduan se kishin vrarë dy anëtarë të lartë të IS-K.

Qari Fateh, shefi rajonal i inteligjencës dhe operacioneve të IS-K, u vra së bashku me një tjetër anëtar në një bastisje në Kabul më 27 shkurt, tha qeveria e udhëhequr nga talebanët.

Një tjetër udhëheqës i lartë i IS-K, Ijaz Amin Ahingar, thuhet se u vra në një bastisje të mëparshme në Kabul./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat