Presidenti i Azerbajxhanit: Marrëveshja e paqes me Armeninë është e pashmangshme

Azia

Presidenti i Azerbajxhanit: Marrëveshja e paqes me Armeninë është e pashmangshme

Më: 22 maj 2023 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes së paqes me Armeninë është i “pashmangshëm”.

“Ne besojmë se nënshkrimi i marrëveshjes së paqes është i pashmangshëm dhe po përpiqemi të bëjmë përpjekje konstruktive për të arritur këtë qëllim. Natyrisht, kjo marrëveshje e paqes duhet të bazohet në norma dhe parime ndërkombëtare”, tha Aliyev në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij lituanez, Gitanas Nauseda, pas bisedimeve të tyre në kryeqytetin lituanez Vilnius.

Presidenti Aliyev tha se në takim e tij me presidentin Nauseda kishin një shkëmbim të gjerë pikëpamjesh për çështjet rajonale, veçanërisht për bisedimet e paqes Azerbajxhan-Armeni, duke shtuar se homologu i tij shprehu shpresë se negociatat e paqes përfundimisht do të sjellin paqe afatgjate në rajonin e Kaukazit.

Aliyev tha se është biseduar edhe për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Azerbajxhanit dhe Lituanisë.

“Në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh me Lituaninë, në të njëjtën kohë, marrëdhëniet BE-Azerbajxhan luajnë një rol të rëndësishëm dhe ne i shprehim mirënjohjen tonë Lituanisë për përpjekjet e saj për të zhvilluar këto marrëdhënie”, tha Aliyev.

Ai kujtoi se Azerbajxhani dhe Komisioni Evropian nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për partneritetin strategjik në fushën e energjisë dy muaj pasi Nauseda vizitoi Bakun në maj të vitit 2022. Ai theksoi se ky memorandum është duke u zbatuar.

“Po ndërmerren hapa shumë serioze në lidhje me transportin e gazit natyror të Azerbajxhanit në tregjet evropiane. Vëllimi i gazit të transportuar, përkatësisht të eksportuar, po rritet nga viti në vit dhe do të vazhdojë të rritet”, tha Aliyev.

Siç tha ai, Baku dhe Vilniusi shkëmbyen mendime edhe për krijimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Ai shtoi se beson se në të ardhmen e afërt do të jetë i mundur bashkëpunimi i mëtejshëm në këtë fushë.

“Sigurisht, vendet tona kanë përgjegjësi të mëdha për të krijuar mundësi edhe më komode transporti dhe komunikimi në kontinentin euroaziatik. Ne ramë dakord që institucionet përkatëse do të merren seriozisht me këtë çështje, sepse realiteti i ri gjeopolitik që mbizotëron në botë e dikton atë”, tha Aliyev.

Nga ana tjetër, Nauseda tha se vizita e presidentit të Azerbajxhanit do të shtojë një “dinamikë të re pozitive” në marrëdhëniet dypalëshe midis Bakut dhe Vilniusit dhe se Azerbajxhani është një partner i Lituanisë në programe të ndryshme të BE-së, si Partneriteti Lindor dhe Binjakëzimi.

Ai tha se Lituania mbështet zhvillimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe Azerbajxhanit dhe se ata duhet të kërkojnë mundësi të reja për të zhvilluar partneritetin e tyre strategjik në kuadër të programit të Partneritetit Lindor.

“Ne vlerësojmë pozitivisht bashkëpunimin energjetik të BE-së me Azerbajxhanin. Ky bashkëpunim ka ndikuar pozitivisht në tregun energjetik të BE-së, si dhe ka siguruar furnizimin e BE-së për muajt e dimrit”, tha Nauseda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat