Rritet numri i vetëvrasjeve te gratë nën sundimin taliban

Azia

Rritet numri i vetëvrasjeve te gratë nën sundimin taliban

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 09:41
Disa paciente duke e shikuar kamerën brenda një qendre të shëndetit mendor të Kryqit të Kuq në Afganistan.

Shabana e kishte një të ardhme të ndritur para vetes. Ajo po studionte për t’u bërë mjeke dhe po përgatitej për t’u martuar.

Por, por asaj iu përmbys jeta kur talibanët e morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021. Vendimi i grupit militant për t’ua ndaluar grave universitetin e detyroi atë t’i braktisë studimet. Pastaj, i dashuri i saj i cili jeton jashtë vendit, e prishi fejesën me të.

Shabana, e cila ishte në të 20-at e saj, bëri vetëvrasje muajin e kaluar në vendlindjen e vet, Çarikar, kryeqyteti provincial i provincës veriore, Parvan.

Ajo është në mesin e një numri në rritje të grave dhe vajzave të cilat e kanë vrarë veten në Afganistan, njërin nga vendet e pakta në botë kur ekspertët vlerësojnë se gratë vetëvriten më shumë se burrat.

Ekspertët e kanë ndërlidhur rritjen e numrit të vetëvrasjeve te gratë në këtë vend me kufizimet e skajshme të sundimit taliban ndaj grave. Grupi islamist ua ka ndaluar grave arsimimin dhe shumicën e llojeve të punësimit, duke ua pamundësuar çfarëdo roli publik në shoqëri, si dhe ua ka kufizuar lëvizjet dhe mënyrën sesi duken.

Megjithëse nuk ka shifra zyrtare, profesionistët afganë të shëndetit mendor dhe organizatat e huaja kanë theksuar se ka rritje shqetësuese të vetëvrasjeve te gratë në dy vjetët e fundit.

“Sot, shumica e pacientëve që vuajnë nga shëndeti mendor në Afganistan janë gra dhe vajza”, tha Mujeeb Khpalwak, psikiatër në Kabul.

“Nëse i shikojmë gratë të cilat punonin apo studionin në të kaluarën, 90 për qind e tyre tani vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. Ato përballen me pasiguri të jashtëzakonshme ekonomike, pasi e kanë humbur punën dhe janë në ankth për të ardhmen e vet”, shtoi ai.

Shumë gra afgane thonë se janë shndërruar në të burgosura virtuale në shtëpitë e veta, qëkur talibanët e morën pushtetin në dorë. Shumica dërrmuese e grave janë të papunësuara. Dhe shumica e tyre thonë se tani janë plotësisht të pashpresa.

Dhuna ndaj grave, ndërkohë, është rritur nën sundimin taliban. Militantët i kanë hequr programet e ndihmës ligjore dhe i kanë shfuqizuar gjykatat speciale të përcaktuara për ta luftuar dhunën kundër grave dhe vajzave.

Po ashtu, janë rritur edhe martesat e detyrueshme dhe të hershme të vajzave të mitura nëpër Afganistan. Prindërit po i martojnë vajzat adoleshente për t’i ikur detyrimit për t’i martuar ato me luftëtarët talibanë.

Maryam Saeedi, aktiviste afgane për të drejtat e grave, tha se disa gra e shohin vetëvrasjen si rrugëdalje të vetme për t’i ikur gjendjes së vështirë dhe halleve.

“Ato kryejnë vetëvrasje për t’iu dhënë fund telasheve të veta, që është rrezikshme”, tha ajo për Radio Azadi.

Maryam, banore e Kabulit, tha se motra e saj 16-vjeçare ka vuajtur nga depresioni i skajshëm qëkur talibanët ua ndaluan shkollën vajzave nga klasa e gjashtë.

“Motra ime ka vuajtur shumë nga shëndeti mendor. Është e vështirë për vajzat ta përballojnë heqjen e lirive”, shtoi ajo.

Regjimi taliban ka thënë se 360 njerëz bënë vetëvrasje në vend vitin e kaluar, pa dhënë ndonjë hollësi. Shifrat jozyrtare tregojnë se numri i vetëvrasjeve te gratë është rritur shumë që nga viti 2021, kur edhe ra qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë zbuloi më 2018 se rreth 2 milionë afganë – nga një popullsi prej 40 milionëve – vuanin nga stresi mendor.

“Këto shifra me gjasë janë shumë më të larta sot”, sipas një deklarate më 5 shtator të Aksionit Kundër Urisë, organizatës joqeveritare me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo organizatë shtoi se Afganistani po përballet me një “krizë të paparë të shëndetit mendor”.

Khpalwak, psikiatër, tha se vendit i mungojnë burimet për ta adresuar atë që e cilësoi si pandemi të shëndetit mendor.

“Numri i pacientëve me telashe me shëndetin mendor po rritet shpejt, por nuk ka tretman të mjaftueshëm për ta. Psikiatret nuk mund të punojnë për shkak të kufizimeve në punën e tyre. Kriza në rritje e sipër e shëndetit mendor duhet të adresohet urgjentisht”, tha ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat