Presidenti i Sirisë, Assad viziton Teheranin

Azia

Presidenti i Sirisë, Assad viziton Teheranin

Më: 30 maj 2024 Në ora: 20:07
Foto nga vizita

Presidenti sirian Bashar Assad u takua me udhëheqësin suprem të Iranit në Teheran të enjten dhe shprehu ngushëllimet për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi në një aksident me helikopter, njoftuan mediat shtetërore.

Gjatë takimit me udhëheqësin iranian Ayatollah Ali Khamenei, Presidenti sirian shprehu ngushëllimet për vdekjen e ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian, i cili gjithashtu humbi jetën gjatë rrëzimit të helikopterit në fillim të këtij muaji.

Presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhber ishte i pranishëm në takim.

Irani filloi një periudhë pesë-ditore regjistrimi të enjten për kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit për të zëvendësuar të ndjerin Raisi.

Irani është mbështetësi kryesor rajonal i Presidentit Assad në luftën e gjatë civile të këtij vendi arab. Qindra forca iraniane janë vrarë në luftë, megjithëse Teherani ka thënë prej kohësh se luan vetëm rol këshillues ushtarak në Siri.

Udhëtimi i Presidentit të Sirisë po realizohet ndërsa vazhdon lufta Izrael-Hamas që tronditi rajonin. Hamasi, i mbështetur nga Irani, udhëhoqi sulmin e 7 tetorit që nisi konfliktin. Grupi militant Hezbollah në Liban, i mbështetur gjithashtu nga Teherani, e sulmon vazhdimisht Izraelin me raketa. Muajin e kaluar, Irani nisi një sulm të paprecedentë me dronë dhe raketa ndaj Izraelit.

Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe individë të tjerë u gjetën të vdekur në vendin e rrëzimit të një helikopteri pas një kërkimi të gjatë nëpër një rajon malor me mjegull në veriperëndim të vendit..VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat