Përderisa nga Gaza vazhdojnë të vijnë njoftime për viktima të reja të sulmeve izraelite, Tel Avivi ka filluar përgatitjet për një ofensivë të madhe tokësore dhe ka aprovuar planin kontrovers për zhvendosjen e popullatës palestineze nga Rripi i Gazës, duke ri-nxitur kështu akuzat për spastrim etnik të territorit.
Forcat izraelite kanë vazhduar me sulme ajrore dhe operacione tokësore në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, duke goditur dhjetëra caqe të reja dhe duke shkaktuar viktima të reja civile.
Sipas zyrtarëve në Gaza, gjatë 24 orëve të kaluara është konfirmuar se si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë 65 civilë, por ata shtojnë se ky numër besohet të jetë më i madh, pasi në shumë raste konfirmimi po bëhet e pamundur.
Njëkohësisht, mediumet e ndryshme raportojnë se, përkundër kritikave ndërkombëtare, Tel Avivi jo vetëm që nuk planifikon të ndalojë operacionet, por ka filluar përgatitjet për një ofensivë të madhe tokësore, e cila do të përfshinte dhjetëra mijëra ushtarë që do të okupojnë pjesë të mëdha të territorit të Rripit të Gazës.
Disa diplomatë kanë thënë se kjo mund të jetë me qëllim të krijimit të presionit më të madh ndaj Hamasit në negociata, por disa vende arabe, si dhe kritikët e ndryshëm të Izraelit, po e shohin këtë si përgatitje për pastrim etnik.
Njëkohësisht është njoftuar se kabineti qeveritar i Benjamin Netanyahut ka aprovuar planin kontrovers për zhvendosjen e popullatës palestineze nga Rripi i Gazës. Sipas deklaratave të zyrtarëve izraelitë, plani përfshin krijimin e rrugëve të lëvizjes së lirë dhe infrastrukturës që do t'u mundësojë palestinezëve që janë të interesuar të zhvendosen në vende të treta. Sipas tyre, kjo do të bëhet sipas ligjit ndërkombëtar dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Aprovimi i këtij plani ka nxitur disa prej vendeve arabe, si dhe zyrtarët palestinezë, të thonë se Tel Avivi po përgatitet për spastrim etnik të Rripit të Gazës, ndërsa shumë prej organizatave humanitare të pranishme në territor kanë thënë se ndalesat e ujit, energjisë dhe ndihmave për Gazën nga ana e Izraelit gjithashtu i shërbejnë këtij qëllimi.
Sipas tyre, Tel Avivi po mundohet ta bëjë jetën e pamundur për banorët e Gazës, me qëllim që ata të detyrohen të pranojnë zhvendosjen.