Organizata botërore për të drejtat e njeriut Amnesty International thotë se numri i ekzekutimeve në mbarë botën është rritur për 2024 – ose gjithsej 1.518 persona u ekzekutuan, një rritje prej 32 për qind krahasuar me 2023, pavarësisht nga një rënie e lehtë në numrin e vendeve që aplikojnë dënimin me vdekje.
Të dhënat tregojnë se numri i ekzekutimeve të regjistruara vitin e kaluar ishte më i larti që nga viti 2015 dhe se numri i vendeve që aplikonin dënimin me vdekje u ul nga 16 në 15. Besohet se numri më i madh i dënimeve me vdekje në botë kryhen në Kinë, por numri i saktë i ekzekutimeve nuk dihet.
Kina nuk publikon të dhëna zyrtare sepse e konsideron atë një sekret shtetëror. Vietnami dhe Koreja e Veriut gjithashtu besohet se përdorin gjerësisht dënimin me vdekje, por asnjëri nga vendet nuk publikon shifra zyrtare për numrin e ekzekutimeve, sipas Amnesty International.
Irani renditet i pari në botë për numrin e ekzekutimeve të njohura.
“Irani, Iraku dhe Arabia Saudite ishin përgjegjës për rritjen e madhe të numrit të ekzekutimeve vitin e kaluar, ku u kryen më shumë se 91 për qind e numrit të përgjithshëm të ekzekutimeve të njohura në botë, të cilat shkelën të drejtat e njeriut dhe jetët e njerëzve u morën pa zemër për akuzat që lidhen me drogën dhe terrorizmin”, tha Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e Amnesty International.
Të paktën 972 njerëz u ekzekutuan në Iran në vitin 2024, duke përfshirë 30 gra, thuhet në raport. Në vitin 2023, në Iran u kryen 853 ekzekutime.
Roja Borumand, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Abdurahman Borumand për të Drejtat e Njeriut në Iran, tregon për BBC se në vitin 2022 janë ekzekutuar 12 gra, ndërsa në vitin 2023 ky numër është rritur në 25. Disa prej tyre ishin dënuar për krime të lidhura me drogën. Ajo thekson gjithashtu se në shënjestër janë edhe kundërshtarët e regjimit.
Arabia Saudite ekzekutoi 345 persona dhe Iraku ekzekutoi 63 dënime me vdekje. Amnesty thotë se katër të mitur janë ekzekutuar si në Iran ashtu edhe në Somali. Në vitin 2024, ekzekutimet publike u kryen në Iran dhe Afganistan.
Të dhënat e Amnesty International renditen me një paralajmërim të rëndësishëm.
“Të dhënat tona globale për vitin 2024 nuk përfshijnë mijëra ekzekutime dhe dënime me vdekje që ne besojmë se janë kryer dhe vendosur në Kinë. Të dhënat për dënimet me vdekje janë ende të klasifikuara si sekret shtetëror, por informacionet që kemi arritur të marrim tregojnë se situata është e frikshme”, tha Chiara Sangiorgio, një eksperte pranë Amnesty.
Amnesty International beson se Kina po zbaton dënimin me vdekje për korrupsionin dhe krimet e lidhura me drogën, duke shkelur një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që thotë se dënimi me vdekje duhet të kufizohet vetëm në "krimet më të rënda".
Sipas përcaktimit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OKB), krime të tilla janë ato që përfshijnë vrasjen me dashje. Dënimi me vdekje nuk mund të shqiptohet për krime që nuk rezultojnë në vdekje të drejtpërdrejtë dhe të qëllimshme, siç janë krimet e lidhura me drogën ose veprat seksuale.
“Ne gjithashtu vumë re se autoritetet vazhdojnë të përdorin ekzekutimin si një mjet për kontrollin e shtetit, si dhe të dërgojnë një mesazh se krimi dhe mosbindja nuk do të tolerohen,” shton Sangiorgio.
Kina ka një histori të gjatë të përdorimit të dënimit me vdekje. Në vitin 1983, autoritetet prezantuan një politikë të "goditjes së ashpër" të bandave kriminale.
Sipas raportimeve të mediave, disa ekzekutime janë kryer edhe për krime jo vdekjeprurëse, si vjedhje bagëtish dhe automjetesh. Tregtarët e drogës ishin një objektiv i veçantë i autoriteteve.
Në vitin 1996, Amnesty raportoi se në "Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm, e cila shënohet më 26 qershor, më shumë se 230 njerëz u ekzekutuan në disa qytete në një ditë të vetme".
A po shënon rënie numri i dënimeve me vdekje?
Profesoresha Michelle Miao nga Universiteti Kinez i Hong Kongut ka studiuar shkaqe të ngjashme të numrit të lartë të dënimeve me vdekje në Kinë në vitet e fundit. Në një intervistë për BBC, ajo foli për punën e saj dhe shpjegoi pse është e vështirë të vlerësohet numri aktual i ekzekutimeve të kryera në Kinë.
“Ashtu si shumë vende të tjera që përdorin dënimin me vdekje, Kina nuk publikon të dhëna gjithëpërfshirëse mbi ekzekutimet. Kërkimi im tregon se këto të dhëna janë jo transparente si për shkak të traditës së një politike të tillë, ashtu edhe për shkak të ndjeshmërisë së vetë temës”, tha Miao.
Gjatë hulumtimit të saj, ajo foli me 40 gjyqtarë dhe po aq avokatë mbrojtës në Kinë. Ajo konstatoi se ka mospërputhje në shqiptimin e dënimeve me vdekje, si dhe paqartësi në ligje.
“Më shumë se dy të tretat e bashkëbiseduesve të mi, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Popullore, nuk mund të jepnin një përgjigje të saktë për këtë pyetje”.
Grupi i të drejtave të njeriut Dui Hua, me qendër në Shtetet e Bashkuara, thotë se numri i ekzekutimeve në Kinë ka rënë nga 12.000 në 2002 në rreth 2.000 në 2018. Megjithatë, grupi nuk ka dhënë të dhëna pas vitit 2018.
Profesor Miao ia atribuon rënien e numrit të vlerësuar të ekzekutimeve një sërë reformash në sistemin gjyqësor kinez që janë zbatuar gjatë dy dekadave të fundit.
Të dënuarit tani kanë të drejtë të bëjnë dy ankesa, në vend të një, dhe numri i krimeve për të cilat mund të shqiptohet dënimi me vdekje është zvogëluar.
Kodi penal kinez i vitit 1979 parashikonte dënimin me vdekje për 74 krime, ndërsa ky numër u ndryshua në vitin 2011 dhe 2015 dhe sot dënimi me vdekje në Kinë mund të shqiptohet për gjithsej 46 krime.
Sipas një raporti të publikuar nga organizata Dui Hua, “nga gjithsej 1 milion e 431 mijë e 585 të pandehur kriminalë në vitin 2022, vetëm 631 u gjetën të pafajshëm”.
"Shkalla e dënimit në vitin 2022 ishte 99.95 për qind, një rekord, sipas të dhënave nga libri vjetor i Shoqatës së Avokatëve të Kinës," tha organizata Dui Hua në një deklaratë.
Kina nuk është i vetmi vend ku shkalla e dënimit është kaq e lartë. Në Japoni, një vend demokratik, mbi 99 për qind e të pandehurve dënohen. Sidoqoftë, asnjë dënim me vdekje nuk është zbatuar në Japoni që nga korriku 2022.