Hamasi e ka hedhur poshtë propozimin e Izraelit për armëpushim gjashtë javor gjatë së cilës kohë grupet e armatosura do t’i dorëzonin armët.
Një zyrtar i lartë palestinez ka thënë se në plan nuk ka kurrfarë zotimi për t’i dhënë fund luftës apo për tërheqjen e trupave të Izraelit, kërkesa kryesore kjo e Hamasit, në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve izraelite që janë ende gjallë e që ende po i mban Hamasi. E kjo po ndodh në kohën kur Izraeli po e vazhdon ofensivën ushtarake në Gazë. Izraeli thuhet se këtë propozim për armëpushim ua ka dërguar ndërmjetësve rajonalë nga fundi i javës së kaluar, disa ditë para se kryeministri Benjamin Netanjahu të udhëtojë për në SHBA për t'u takuar me presidentin Donald Trump.
Kjo është hera e parë që Izraeli e ka vënë çarmatosjen e Hamasit si kusht për të çuar përpara një armëpushim të mundshëm.
Zyrtari palestinez e ka akuzuar Izraelin për zvarritjen e kohës, duke kërkuar vetëm kthimin e pengjeve ndërsa po e vazhdon luftën.
Besohet se në Gaza apo në duart e Hamasit janë edhe 59 pengje, 24 nga të cilët thuhet se janë të gjallë.
Ndërkohë që një nga agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se situata humanitare në Gazë tani është ndër më të rëndat që ka qenë në 18 muajt e fundit.