​Kina i quan tarifat e SHBA-së një “lojë numrash”

Azia

​Kina i quan tarifat e SHBA-së një “lojë numrash”

Më: 17 prill 2025 Në ora: 10:57
Foto ilustrim

Duke denoncuar përdorimin e tarifave si një “armë” për të “detyruar dhe ngacmuar të tjerët”, Pekini deklaroi të enjten se tarifat e fundit prej 245% ndaj importeve kineze nga SHBA janë kthyer në një “lojë numrash”, shkruan AA.

“Duhet t’i pyesni ndoshta autoritetet amerikane se si arritën në atë shifër”, tha Ministria e Jashtme e Kinës në një deklaratë, në përgjigje të rritjes së fundit të tarifave nga Shtëpia e Bardhë ndaj importeve kineze.

“Rritjet shfrytëzuese të tarifave nga SHBA ndaj Kinës janë kthyer në një lojë numrash, që ekonomikisht nuk ka më ndonjë ndikim të madh real, përveçse tregon më tej sesi SHBA i përdor tarifat si një armë për të detyruar dhe ngacmuar të tjerët”, tha ministria, raporton KosovaPress.

Shtëpia e Bardhë, në një përmbledhje faktike të martën, përmendi se importet kineze përballen me tarifa deri në 245%, shumë më tepër se kufiri maksimal prej 145% që ishte raportuar më parë. Kjo shifër përfshin një tarifë reciproke prej 125% të vendosur nga Presidenti Donald Trump këtë muaj, si dhe 20% tarifa shtesë për mallra të lidhura me fentanilin.

Pekini rriti tarifat ndaj të gjitha importeve amerikane në 125% dhe deklaroi se nuk do të vendosë më rritje të tjera, pasi tarifat e kanë bërë të vështirë biznesin mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

“Luftërat tregtare dhe tarifore nuk kanë fitues. Kina nuk dëshiron të luftojë ato luftëra, por gjithashtu nuk ka frikë prej tyre”, tha ministria.

“Nëse SHBA vazhdon të luajë këtë lojë numrash me tarifa, ajo thjesht do të shpërfillet. Por nëse SHBA vazhdon të shkaktojë dëm të vërtetë ndaj të drejtave dhe interesave të Kinës, Kina do të përgjigjet me masa të vendosura dhe do të qëndrojë e palëkundur deri në fund”.

Të mërkurën, Kina i bëri thirrje SHBA-së të ndalojë taktikat e saj të “presionit maksimal” dhe “shantazhit” në negociatat tregtare, duke iu kundërpërgjigjur komenteve të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se “topi është në fushën e Kinës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat