Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, është zotuar për ndëshkimin e personave përgjegjës për sulmin e së martës në Kashmir, duke i ndjekur ata “deri në fund të botës”.
Njëzet e gjashtë njerëz u vranë në një zonë të popullarizuar turistike të quajtur Pahalgam, në sulmin më vdekjeprurës ndaj civilëve në territorin e kontestuar me shumicë myslimane që nga viti 2000, raporton gazeta “The Guardian”.
“I them tërë botës: India do të identifikojë, do t’i bjerë në gjurmë dhe do të ndëshkojë secilin terrorist dhe mbështetësin e tyre” – tha Modi në fjalimin e tij të parë që nga koha e sulmit në Himalaje.
India të mërkurën e akuzoi Pakistanin për mbështetjen e “terrorizmit matanë kufirit” dhe e uli nivelin e marrëdhënieve me fqinjin perëndimor me një varg masash diplomatike. Pakistani ka mohuar çfarëdo roli në sulmin e së martës.
Të mërkurën në mbrëmje, diplomati më i lartë pakistanez në Indi, Saad Ahmad Warraich, i ngarkuar me punë në ambasadën pakistaneze në Neë Delhi, u ftua në takim nga Ministria e Jashtme e Indisë, sipas një burimi diplomatik dhe raportimeve të mediave lokale.
India tashmë e ka mbyllur kufirin tokësor me Pakistanin, ka pezulluar një pakt për ndarjen e ujit dhe ua ka ndaluar hyrjen shtetasve pakistanezë sipas një skeme për përjashtim nga vizat.
Të enjten, policia në Kashmir publikoi njoftime me emrat e tre militantëve të dyshuar për përfshirje në sulmin vdekjeprurës dhe ofroi shpërblime për ata që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e tyre. Sipas njoftimeve, dy prej tre militantëve të dyshuar janë shtetas pakistanezë..