Ushtria izraelite njoftoi sot se një sistem i paemërtuar i mbrojtjes laser, i ngjashëm me sistemin Iron Beam, rrëzoi dhjetëra kërcënime ajrore gjatë luftës.
Sipas mediave izraelite, ata mësuan që në vjeshtën e vitit 2024 se ushtria izraelite kishte përdorur sisteme të mbrojtjes laser në situata operacioni, por nuk u lejuan të raportonin atë kohë.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Iron Beam (Rrezja e Hekurt) dhe një familje e lidhur e sistemeve të mbrojtjes me laser, të prodhuara nga Rafael, përfaqësojnë laserin më të avancuar në botë, megjithëse Britania, SHBA dhe vende tjera kanë gjithashtu platforma laser relativisht të avancuara.
Burimet thanë për Jerusalem Post se ajo që e bën Iron Beam më të avancuarin është besueshmëria e tij në kushte të ndryshme të motit, diapazoni i ndryshueshëm, përshtatshmëria ndaj llojeve të ndryshme të kërcënimeve ajrore dhe aftësia për t'u vendosur në kontekste të ndryshme.
Burimet e mbrojtjes thanë se aftësitë e laserit të ri janë vërtetuar, por nuk pranuan të zbulojnë se kur ose si ushtria izraelite i përdori ato në terren në Gaza ose Liban.
Sipas Jerusalem Post, në shkurt 2023, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite, gjeneral brigade në pension Danny Gold, deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore laser të Izraelit, kur të vendosen plotësisht, mund të rrëzojnë dronët që Irani dërgon kundër Ukrainës.
Pavarësisht suksesit për Iron Beam, mbrojtja me laser nuk do të zëvendësojë Iron Dome brenda natës, sipas Jerusalem Post. Ata shtojnë se kjo luftë ka zbuluar se ekzistojnë lloje të shumta të kërcënimeve ajrore dhe se Iron Dome mund të mbingarkohet nga tufa dhe sulme masive të njëkohshme me raketa ose dron.