​Politologu irakian apelon për kujdes nga Rusia: Putini synon të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor

Azia

​Politologu irakian apelon për kujdes nga Rusia: Putini synon të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor

Më: 7 qershor 2025 Në ora: 09:51
Rrahman Aljebouri

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të kujdesshme nga ndërhyrjet ruse, thotë politologu i cili është edhe presidenti i Akademisë së Zhvillimit Politik dhe Qeverisjes në Irak, Rrahman Aljebouri.

Ai në një intervistë për KosovaPress, deklaron se rajoni ballkanik duhet t’i mbrojë kufijtë nga Rusia, derisa shton se e ardhmja e vendeve të rajonit varet nga bashkëpunimi mes veti.

Sipas tij, Rusia gjithmonë synon të shtrijë sa më shumë ndikimin në Ballkanin Perëndimor

Aljebouri: Rusia gjithmonë synon të shtrijë sa më shumë ndikimin në Ballkanin Perëndimor

“Rusia në Ballkan ka qenë gjithmonë pjesë e politikave të saj. Si t’i mbrojmë kufijtë tanë, si ta bëjmë atë kufi të sigurt. Kështu që, është mbrojtje nga brenda për ta shpënë jashtë. Ajo që është jashtë, janë rusët. Ne të gjithë e dimë se ata nuk janë aty për popujt e Ballkanit, nuk janë aty për popullin ukrainas. Ukraina dhe Ballkani duhet të jenë të kujdesshëm gjithashtu. Rusia do të jetë aty, dhe si do ta kontrollosh atë, si do të mbështetesh te Evropa në radhë të parë, dhe pastaj te SHBA-ja, dhe më pas te mbështetja ndërkombëtare – çfarë kapaciteti mund të ndërtojnë që ta parandalojnë ndikimin rus në Ballkan në përgjithësi”, shton ai.

Përkitazi me këtë, Aljebouri nënvizon nevojën që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një strategji të vetën për integrim evropian dhe mbrojtje nga Rusia.

Aljebouri: Ballkani Perëndimor të kenë një strategji të vetën për integrim evropian dhe mbrojtje nga Rusia

“[Situata në Ballkan] është pak a shumë si në Bagdad, në fakt. Ne jemi mes Iranit dhe Perëndimit. Në Ballkan në përgjithësi, ata janë mes Rusisë dhe përballjes me politikat amerikane. Një gjë që e shoh qartë është se vetë ballkanasit duhet të vijnë me një strategji. Strategjia e tyre duhet të jetë se Rusia është në kufirin e tyre, ndërsa mënyra e tyre e jetesës është duke ndjekur modelin evropian dhe amerikan. Pra, në çdo politikë sigurie, kur je në mes, duhet të kesh një strategji tënden, jo të SHBA-së. Është e domosdoshme të mbrosh kufijtë e tu kundër Rusisë, duhet të mbrosh popullin tënd. E ardhmja e Ballkanit varet nga vetë njerëzit dhe bashkëpunimi midis vendeve, dhe sidomos Ukraina mund të udhëheqë këtë përballje”, thekson ai.

Krahas kësaj, duke folur për propagandën ruse, ai thotë se Rusia bën propagandë të madhe edhe në Irak.

Aljebouri: Rusia bën propagandë të madhe edhe në Irak

“Rusët po përdorin një propagandë të madhe në Irak. Ata kanë rrjetin, ambasada e tyre është shumë aktive atje dhe, në fakt, ambasadori në Bagdad është shumë efektiv. Ai del, flet me njerëzit, dhe kështu një pjesë e madhe e informacionit që përhapet në Bagdad vjen nga ambasadori rus. Sigurisht, si një udhëheqës civil në Irak, kam marrëdhënie me shumë OJQ ukrainase dhe kam punuar me to edhe në kapacitetin tim të mëparshëm. Mendoj se irakianët e kuptojnë pjesën humanitare të kësaj, e kuptojnë luftën mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe Ukraina është viktimë e kësaj lufte. Kështu që populli irakian në përgjithësi do të qëndrojë në anën e ukrainasve. Ndoshta ambasada ukrainase duhet të jetë pak më aktive në Bagdad, në atmosferën publike. Ata duhet të shkojnë në parlamentin irakian, duhet të shkojnë te OJQ-të irakiane, duhet të flasin me njerëzit, të paktën”, deklaron ai.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Aljebouri thotë se është e vështirë të shihet fundi i saj. Sipas tij, Ukraina duhet t’i ruajë tokat e tyre dhe Rusia të tërhiqet nga kjo luftë.

Aljebouri: Është e vështirë t’i shihet fundi luftës në Ukrainë

“Është e vështirë, nga një këndvështrim strategjik, të shohësh fundin e kësaj. Ka dy botë të mëdha – bota perëndimore që kërkon të kufizojë fuqinë e Rusisë, dhe nevoja për lehtësim ekonomik në Evropë. A do të ketë fund? Shpresoj që të ketë fund për të mirën e popullit ukrainas, jo nën presionin rus dhe nevojën ekonomike. Mendoj se bota do të ndalet në një moment, dhe shpresoj që ukrainasit ta ruajnë tokën e tyre, dhe që njerëzit të ndikojnë te bashkësia ndërkombëtare për të rikthyer vëmendjen te Ukraina, sepse është një nga pjesët më të rëndësishme të Evropës që i ka premtuar botës një ekuilibër të ri”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat