Izraeli ka mbyllur kalimin verior Zikim në Rripin e Gazës, duke bllokuar një nga rrugët më të rëndësishme për dërgimin e ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë që përballen me uri ekstreme, raportoi “The Guardian” të enjten.
Zikim, i cili ishte një ndër rrugët më të shpejta për furnizimet me ushqime në Gazën veriore, u mbyll nën arsyetimin se ndihmat po përdoreshin nga Hamasi. Izraeli e justifikoi vendimin si masë sigurie për të parandaluar sekuestrimin e ndihmave, por organizatat ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë hap si “shumë problematik”, duke paralajmëruar se do të pengojë shpërndarjen e ndihmave thelbësore.
Që nga mesi i majit, pasi kishte ndaluar hyrjen e ndihmave për mbi dy muaj, Izraeli ka lejuar vetëm një sasi të kufizuar furnizimesh humanitare në territorin e shkatërruar nga lufta.
Ndërkohë, situata në terren po përkeqësohet. Të enjten, agjencia e mbrojtjes civile në Gaza raportoi se 56 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite, përfshirë gjashtë persona që po prisnin ndihma ushqimore në dy vende të ndara.
Një tjetër sulm ajror goditi një rrugë në Gazën qendrore, ku dëshmitarët thanë se dhjetëra civilë po merrnin qese me miell nga një njësi policore palestineze, e cila i kishte rimarrë nga bandat që më parë kishin plaçkitur konvojet humanitare.