Më shumë se 900 tërmete kanë goditur një varg ishujsh të largët dhe me popullsi të rrallë në jug të Japonisë gjatë dy javëve të fundit, duke mbajtur banorët në ankth dhe pa gjumë gjatë natës.
Aktiviteti sizmik ka qenë “shumë aktiv” në detet përreth ishujve Tokara që nga 21 qershori, njoftuan autoritetet pas një tërmeti me magnitudë 5.5 që goditi të mërkurën, shkruan BBC.
Nuk ka raportime për dëme dhe as nuk është lëshuar ndonjë paralajmërim për cunami, por autoritetet u kanë rekomanduar banorëve të jenë të përgatitur për evakuim nëse është e nevojshme.
“Është shumë e frikshme edhe të flesh”, tha një banore për transmetuesin rajonal MBC.
“Ndjesia është sikur toka dridhet vazhdimisht”.
Zona e Tokaras ka përjetuar tërmete të shumta edhe në të kaluarën, por frekuenca e lëkundjeve më të fundit është e pazakontë, sipas mediave lokale.
Japonia është një nga vendet më aktive në botë për sa i përket tërmeteve, për shkak të vendndodhjes së saj në të ashtuquajturin Unaza e Zjarrit në Paqësor, ku takohen shumë pllaka tektonike. Ajo përjeton rreth 1,500 tërmete çdo vit.
Rreth 700 persona jetojnë në shtatë nga 12 ishujt Tokara. Në disa prej këtyre ishujve të largët nuk ka spitale - më i afërti është të paktën gjashtë orë larg me traget nga kryeqyteti prefekturor, Kagoshima.
Në fshatin Toshima, disa banorë janë të privuar nga gjumi dhe të lodhur, njoftuan autoritetet, ndërsa u bënë thirrje mediave të mos i mbingarkojnë banorët me kërkesa dhe intervista.
Disa bujtina në ishujt Tokara kanë ndaluar pranimin e turistëve për shkak të tërmeteve, bëri të ditur Toshima në uebfaqe, duke theksuar se ato mund të përdoren si strehimore për banorët vendas.