Irani i gatshëm për bisedime bërthamore, por me një kusht

Azia

Irani i gatshëm për bisedime bërthamore, por me një kusht

Më: 25 korrik 2025 Në ora: 06:54
Foto ilustrim

Irani është i gatshëm të rifillojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor, por vetëm nëse Uashingtoni ndërmerr hapa të rëndësishëm për të rindërtuar besimin, njoftoi të enjten zëvendësministri iranian i Jashtëm, Kazem Gharibabadi.

Takimi i radhës do të zhvillohet të premten në Stamboll mes Iranit dhe tre vendeve europiane, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, të njohura si E3, si dhe përfaqësuesit të Bashkimit Europian për politikën e jashtme. Ky do të jetë takimi i parë që pas konfliktit 12-ditor midis Iranit dhe Izraelit në qershor, gjatë të cilit aeroplanët amerikanë B-52 goditën objektet bërthamore iraniane.

Gharibabadi theksoi në një postim në rrjetet sociale se bisedimet duhet të bazohen në disa parime kyçe, duke përfshirë rindërtimin e besimit të Iranit ndaj SHBA-së, e cila sipas tij nuk ekziston aktualisht. Ai shtoi se negociatat nuk duhet të përdoren si platformë për agjenda të fshehta ushtarake, pavarësisht se Irani është i përgatitur për çdo skenar.

Gjithashtu, ai kërkoi respektimin e të drejtave të Iranit sipas Traktatit të Mos-Përhapjes së Armëve Bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në përputhje me nevojat legjitime, si dhe heqjen e sanksioneve.

Bisedimet do të zhvillohen në nivel zëvendësministrash, me Majid Takht-e Ravanchi që përfaqëson Iranin. Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe më parë në Stamboll.

Në sfond qëndron kërcënimi i udhëheqësve europianë për të rikthyer mekanizmin e sanksioneve të vitit 2015, të cilat u hoqën në këmbim të kufizimeve të programit bërthamor iranian. Marrëveshja e vitit 2015 u braktis nga SHBA në vitin 2018 nën administratën Trump, me argumentin se nuk ishte e mjaftueshme e ashpër.

Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se rikthimi i sanksioneve do të ketë pasoja serioze, duke përfshirë mundësinë e tërheqjes së Iranit nga marrëveshjet për mos-përhapjen e armëve bërthamore.

Në letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi vendet E3 për hipokrizi, duke u shprehur se ato nuk kanë respektuar detyrimet e tyre ndërsa kanë mbështetur sulmet izraelite ndaj Iranit.

Gjatë konfliktit të fundit, Shtetet e Bashkuara mbështetën fushatën ajrore të Izraelit me sulme ndaj objektivave bërthamorë iranianë, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me sulme raketore, përfshirë një goditje në një bazë amerikane në Katar.

Zëvendëskryeministri iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Irani është i përgatitur për një luftë tjetër dhe akuzoi Izraelin për përpjekje për vrasjen e tij gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Teheran.

Pezeshkian pohoi se programi bërthamor do të vazhdojë në kuadër të ligjit ndërkombëtar dhe se Irani nuk ka qëllim të zhvillojë armë bërthamore.

Ndërkohë, agjencia zyrtare iraniane njoftoi se industria bërthamore e vendit do të rikuperohet pas sulmeve izraelite dhe amerikane, ndërsa Organizata Ndërkombëtare për Energjinë Atomike konfirmoi rritjen e depozitave të uraniumit të pasuruar nga Irani në nivel që shqetëson Perëndimin.

Pavarësisht kësaj situate të tensionuar, Irani mbetet i hapur për bisedime, megjithëse ka pezulluar bashkëpunimin me IAEA-në pas miratimit të ligjeve të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat