Mijëra qytetarë afganë dolën sot në rrugët e Kabulit për të festuar rifillimin e internetit dhe rrjetit të telefonisë celulare në Afganistan, 48 orë pas ndërprerjes së shërbimeve në pjesë të mëdha të vendit.
Rrugët u mbushën me njerëz që përhapnin lajmin përmes telefonave të tyre, ndërsa shoferët nisën të bënin sinjal me boritë, sipas mediave.
“Qyteti është përsëri gjallë,” tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve pronari i një restoranti, duke kontrolluar telefonin e tij.
Rreth 48 orë pasi komunikimet u ndërprenë në të gjithë Afganistanin me vendim të qeverisë talebane, interneti dhe rrjeti i telefonisë celulare rifilluan sot në shumë provinca të Afganistanit, përfshirë kryeqytetin Kabul, duke shkaktuar skena gëzimi.
Rrjetet e telekomunikacionit u rikthyen në Kabul dhe në provincat Host, Kandahar, Ghazni dhe Herat.
Ndërprerja e internetit ditën e hënë, shkaktoi probleme serioze në banka, posta dhe tregje, ndërsa në spitalet mjekët u detyruan të punojnë pa akses në kartelat e pacientëve. Të martën u anuluan të gjitha fluturimet nga aeroporti i Kabulit.
Organizata Netblocks, që monitoron internetin dhe sigurinë kibernetike, tha se kjo ishte një ndërprerje e qëllimshme nga regjimi i talebanëve.
Kombet e Bashkuara kërkuan nga qeveria talebane që të rivendosë menjëherë qasjen në internet dhe telekomunikacion në të gjithë Afganistanin.
Kjo është hera e parë që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në 2021 dhe vendosjes së një versioni të rreptë të ligjit islamik, ku komunikimet ndërpriten në vend.