Në Siri, sot po mbahen zgjedhjet e para parlamentare që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit, ngjarje që shihet si një hap i rëndësishëm në tranzicionin politik të vendit, por që po kritikohet gjerësisht për mungesë të demokracisë dhe përjashtimin e disa rajoneve të vendit.
Në kryeqytetin Damask dhe disa qytete të tjera siriane, qytetarët po votojnë për të përzgjedhur përfaqësuesit e Parlamentit të ri, i cili do të jetë i pari që nga fundi i regjimit të Assadit në dhjetor të vitit 2024, raporton AFP.
Presidenti i përkohshëm, Ahmad al-Chareh, që udhëhoqi koalicionin islamist që mori pushtetin, ka emëruar një të tretën e deputetëve të rinj, gjë që ka ngjallur kritika të ashpra nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile.
Parlamenti i ri do të ketë gjithsej 210 vende, nga të cilat 140 do të zgjidhen nga komitetet lokale, ndërsa 70 do të caktohen drejtpërdrejt nga presidenti al-Chareh.
Dy provinca të kontrolluara nga forcat kurde dhe rajoni druz i Soueida-s janë përjashtuar nga procesi, duke lënë 32 vende të paplotësuara.
Sipas Komisionit Zgjedhor, nga 1,578 kandidatë, vetëm 14 për qind janë gra, çka tregon një përfaqësim të ulët të grave në institucionin e ri ligjvënës.
Disa qytetarë e shohin këtë proces si një “nevojë të tranzicionit”, ndërsa të tjerë e quajnë atë “një emërim dhe jo zgjedhje”.
Një ish-zyrtar në pension në Damask thotë: “E mbështes qeverinë e re, por këto nuk janë zgjedhje të vërteta. Duam votime të drejtpërdrejta në të ardhmen.”
Autoritetet e reja kanë shpallur se ky parlament do të ushtrojë funksionet ligjvënëse deri në miratimin e një kushtetute të përhershme dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa al-Chareh ka theksuar se për momentin “nuk ka kushte për votime të drejtpërdrejta”, për shkak të numrit të madh të sirianëve që ndodhen jashtë vendit pa dokumente të vlefshme.
Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë proces si një përpjekje të presidentit për të konsoliduar pushtetin dhe për të krijuar një shumicë parlamentare besnike ndaj tij.
Në një deklaratë të përbashkët, 14 organizata kanë paralajmëruar se procesi “minon parimin e pluralizmit politik” dhe rrezikon të përsërisë praktikat autoritare të së kaluarës.
Një nga kandidatët, Mayssa Halwani, 48 vjeç, thotë se “kritikat janë të pritshme sepse liria është diçka e re për Sirinë”, ndërsa të tjerë në rajonet e përjashtuara si Soueida e veriu kurd e kanë quajtur procesin “të padrejtë dhe jopërfaqësues”.
Rezultatet e para pritet të shpallen brenda disa ditësh, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë se këto zgjedhje, ndonëse simbolike për fundin e një epoke, mund të mos sjellin ndryshimin demokratik që shumë sirianë kanë shpresuar pas më shumë se 13 vjetësh lufte civile.