IDF: Gati të marrim kontrollin e Gazës përtej Linjës së Verdhë

Azia

IDF: Gati të marrim kontrollin e Gazës përtej Linjës së Verdhë

Më: 17 nëntor 2025 Në ora: 10:21
Foto ilustrim

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Izraelite (IDF), Eyal Zamir, deklaroi se ushtria duhet të jetë gati të “vendosë shpejt kontrollin operativ” në zonat e Gazës që shtrihen përtej të ashtuquajturës Linja e Verdhe.

Sipas mediave izraelite, Zamir, gjatë një vizite në Rafah, tha se IDF do të vazhdojë të veprojë për të penguar rikthimin e Hamasit, duke mbajtur nën kontroll zonat kyçe dhe pikat hyrëse të Rripit të Gazës. Ai theksoi se, edhe pse mund të kërkojë kohë, “regjimi i Hamasit nuk do të ekzistojë nga ana tjetër e kufirit”.

Zamir u shpreh se Izraeli kontrollon tashmë mbi 50% të territorit në Gaza, por pa administruar popullsinë. Sipas tij, Linja e Verdhe shërben si një vijë rrethimi dhe kontrolli që synon të frenojë avancimin e Hamasit.

Ai paralajmëroi se ushtria duhet të jetë e gatshme, “nëse është e nevojshme”, për një kalim të shpejtë drejt një ofensive të gjerë tokësore për të marrë kontrollin e plotë të zonave përtej kësaj linje në Rripin e Gazës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat