Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbikëqyrur fluturimet provë të raketave hipersonike, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Sipas KCNA-së, stërvitja u zhvillua dje nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Kim Jong Un.
”Raketat hipersonike u lëshuan nga Pheniani drejt verilindjes dhe goditën objektivat e parashikuara në një distancë prej 1 000 kilometrash”, thuhet në njoftim.
KCNA citoi Kim Jong Unin të ketë cilësuar stërvitjen si “një detyrë strategjike shumë të rëndësishme për të ruajtur dhe zgjeruar një parandalim bërthamor të fuqishëm dhe të besueshëm”.
Informacionet e dhëna nga autoritetet e Koresë së Veriut nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, duke cituar Rojat Bregdetare të Japonisë, raportoi sot se ishin lëshuar dy raketa të dyshuara balistike.
Koreja e Veriut është e ndaluar nga rezolutat e OKB-së të lëshojë apo edhe të testojë raketa balistike të çfarëdo rrezeje.
Këto zakonisht janë raketa tokë-tokë që mund të pajisen edhe me koka bërthamore.
Pheniani ka zgjeruar ndjeshëm testimet e raketave gjatë dy viteve të fundit, duke ashpërsuar njëkohësisht retorikën ndaj SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Gjithashtu, ai ka forcuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.