LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 14:24 më 03.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasada e SHBA-së në Arabinë Saudite lëshon paralajmërim për sulm të afërt me raketa

Nga: M.H.

Ambasada e SHBA-së në Arabinë Saudite ka lëshuar një alarm sigurie duke paralajmëruar për sulme të afërta me raketa dhe dronë në qytetin lindor të Dhahranit, një qendër e madhe administrative për indusrinë saudite të naftës.

Alarmi paralajmëron: "Mos ejani në konsullatën e SHBA-së. Mbulohuni menjëherë në banesën tuaj në katin më të ulët të disponueshëm dhe larg dritareve, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

 Mos dilni jashtë. Konsullata e SHBA-së në Dhahran u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Dhahran të strehohen në vend, të rishikojnë planet e sigurisë në rast të një sulmi dhe të qëndrojnë vigjilentë në rast të sulmeve të mëtejshme në të ardhmen. Personeli i konsullatës amerikane është strehuar në vend."

Paralajmërimi vjen pasi ambasada e SHBA-së në kryeqytetin saudit, Riad, u godit nga dy dronë gjatë natës, duke shkaktuar një zjarr të vogël dhe duke e detyruar ambasadën të mbyllet.

Izraeli zgjeron praninë ushtarake në jug të Libanit

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kanë dërguar trupa më thellë në jug të Libanit, përtej pesë pozicioneve të mëparshme.

"Ushtarë nga Divizioni Rajonal i 91-të 'Galilea' janë vendosur në pika të shumta pranë kufirit, për të forcuar sigurinë në veri të Izraelit", tha përmes një deklarate ushtria izraelite.

Aty, po ashtu, theksohet se ushtria po kryen sulme të shënjestruara ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, për të neutralizuar kërcënimet dhe për të parandaluar infiltrimin në territorin izraelit.

Zgjerimi i pranisë ushtarake vjen pas një sërë sulmesh me raketa dhe dronë nga Hezbollahu në drejtim të veriut të Izraelit.

Këto sulme filluan më 2 mars, si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Ushtria izraelite tha se këto masa synojnë të ofrojnë një "shtresë shtesë sigurie për banorët e veriut të Izraelit".

Operacioni “Tërbimi Epik”, si u përshkallëzua konflikti SHBA–Iran

Sky News ka bërë një përmbledhje të situatës së luftës në Iran që kur SHBA-të nisën Operacionin “Tërbimi Epik” me një seri sulmesh të shtunën në mëngjes, duke vrarë Ajatollah Ali Khamenein në kompleksin e tij në Teheran. Izraeli iu bashkua sulmit, duke vrarë dhjetëra zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë në sulmet ajrore.

Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar dronë dhe raketa që synonin Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Jordaninë, Omanin dhe Katarin.

Tre ushtarë amerikanë u vranë në një sulm ndaj Kuvajtit, ndërsa një bazë e RAF-it në Qipro u shënjestrua gjithashtu me dron. Sulmi ndaj bazës ajrore RAF Akrotiri në Qipro u cilësua si demonstrim i aftësive ushtarake iraniane.

Raketa me rrezen më të gjatë të veprimit, Sajjil, ka një rreze maksimale deri në 2,000 kilometra (1,240 milje), sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, organizatë kërkimore në fushën e mbrojtjes. Kjo distancë është e mjaftueshme për të goditur Moskën ose Athinën, por jo për t’i dhënë Iranit aftësinë për të goditur Mbretërinë e Bashkuar.

Baza britanike në Qipro ndodhet brenda rrezes së raketave Sajjil, si dhe të raketave Ghadr dhe Emad-1.

Ekipi i të dhënave dhe forenzikës i Sky News ka hartëzuar bazat ajrore të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Lindjen e Mesme dhe Evropë, të cilat mund të përdoren për nisjen e sulmeve ndaj Iranit.

Gjatë javëve të fundit, avionë amerikanë dhe të RAF-it kanë fluturuar drejt dhe nga Lindja e Mesme, ndërsa është vërejtur një grumbullim i konsiderueshëm forcash në baza. Mes aseteve të vendosura nga SHBA-të janë avionë luftarakë F-22, avionë transporti C-17 dhe tankerë KC-135.

Diego Garcia është një nga bazat që ka parë rritje të aktivitetit. Ishulli ka qenë në qendër të debatit publik pas kritikave të Donald Trump ndaj planeve të Mbretërisë së Bashkuar për t’ia dorëzuar kontrollin e Ishujve Chagos Mauritiusit.

Konflikti me Iranin ka nxjerrë në pah rëndësinë strategjike të bazës së përbashkët ushtarake SHBA–Britani e Madhe. Sir Keir Starmer ka refuzuar dhënien e lejes për përdorimin e saj nga SHBA-të për sulme ndaj Teheranit.

Imazhet satelitore të së dielës tregojnë të paktën 14 avionë të stacionuar pranë pistës, përfshirë gjashtë F-16 dhe dy P-8 Poseidon. Pjesa tjetër janë avionë transporti, përfshirë një C-5 Galaxy dhe tre KC-135 Stratotankerë, sipas analistëve të Jane’s Defence Weekly.

C-5 është avioni më i madh transportues në arsenalin amerikan, i aftë për transportimin e automjeteve ushtarake dhe avionëve luftarakë. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se një C-5 mbërriti nga Koreja e Jugut, ndërsa një tjetër ishte në rrugë nga baza ajrore e përbashkët SHBA–Kore e Jugut, Osan.

Analistët theksuan se Mbretëria e Bashkuar nuk operon shumicën e modeleve të avionëve të identifikuar, përveç P-8 Poseidon.

Sipas të dhënave të TankerTrackers, të paktën tre anije ushtarake amerikane ndodhen në Gjirin Persik dhe 12 të tjera në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln u pa më 25 shkurt më pak se 200 kilometra nga brigjet e Omanit.

Anija është ndër më të mëdhatë në botë dhe mund të mbajë avionë luftarakë, përfshirë F-35 Lightning II. Ajo shoqërohej nga një anije mbi 200 metra e gjatë, e cila mund të përdorej për furnizim ose mbështetje logjistike.

Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford u identifikua më 27 shkurt në Detin Mesdhe, rreth 400 kilometra nga brigjet e Qipros, e shoqëruar nga tre shkatërrues amerikanë.

Ndërkohë, Sky News ka gjurmuar gjashtë anije iraniane pranë ishullit Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Ato janë parë për herë të fundit në imazhet satelitore më 28 shkurt dhe kanë qëndruar në zonë për më shumë se dy javë.

Njëra prej tyre është Iris Shahid Bagheri e Gardës Revolucionare Islamike, anije luftarake e aftë për të vendosur rreth 60 dronë, si dhe helikopterë.

Vance: Sulmet nisën sepse Irani nuk e kaloi testin e besueshmërisë

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor dështuan, pasi zyrtarët konstatuan se garancitë e ofruara nga Teherani, "nuk e kalojnë testin e besueshmërisë".

Për këtë arsye, sipas tij, presidenti Donald Trump autorizoi Operacionin Tërbimi Epik në Iran, i cili nisi më 28 shkurt.

Duke folur për Fox News më 2 mars, Vance tha se përfaqësuesit amerikanë - në mesin e tyre Steve Witkoff, Marco Rubio dhe Jared Kushner - zhvilluan bisedime "të kujdesshme" në Gjenevë, me synimin për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Bisedimet u ndërprenë për shkak të pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.

"Asnjë nuk kundërshton që iranianët të prodhojnë izotope mjekësore; problem janë objektivat e pasurimit që shërbejnë vetëm për krijimin e armëve bërthamore", tha Vance.

Ai shtoi se Uashingtoni do të preferonte "një regjim miqësor në Iran, një vend të qëndrueshëm dhe një vend që është i gatshëm të punojë me Shtetet e Bashkuara".

Izraeli sulmon televizionin shtetëror të Iranit, Netanyahu: Lufta kundër Teheranit nuk do të zgjasë me vite

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se priste që lufta kundër Iranit “nuk do të zgjasë me vite”, ndërsa konflikti u përshkallëzua me Izraelin që sulmoi objektiva të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban dhe me Iranin që goditi shtete të Gjirit që strehojnë baza amerikane.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fillimisht parashikoi që lufta të zgjaste katër deri në pesë javë, por që atëherë u përpoq të justifikonte një luftë të gjerë dhe të pafundme kundër Iranit.

Netanyahu e hodhi poshtë idenë e konfliktit që do të zgjaste me vite, njësoj si luftërat e mëparshme në rajon.

“Thashë se mund të jetë e shpejtë dhe vendimtare. Mund të duhet pak kohë, por nuk do të duhen vite. Nuk është një luftë e pafundme”, tha Netanyahu të hënën. Ndërsa lufta hyri në ditën e saj të katërt të martën, shpërthimet tronditën ndërtesat në të gjithë Tel Avivin, ndërsa mbrojtja ajrore interceptoi raketat iraniane që po vinin.

Izraeli sulmoi kompleksin ku ndodhet transmetuesi shtetëror iranian IRIB në Teheran dhe shënjestroi militantët e Hezbollahut në qytete anembanë Libanit.

Herët të martën, dy dronë, me sa duket nga Irani, goditën ambasadën amerikane në Riad, duke shkaktuar dëme të vogla dhe duke ndezur një zjarr, dhe të paktën tetë dronë të tjerë u kapën para se të arrinin në qytet, tha Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite.

Lufta ajrore e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit filloi me sulme kundër Teheranit të shtunën, të cilat vranë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Hakmarrja nga Irani dhe përfaqësuesi i tij, Hezbollahu, e ka përfshirë rajonin e Gjirit në konflikt, duke vrarë qindra civilë në Iran, Izrael, Liban dhe vende të tjera.

Izraeli paralajmëron avancim të trupave tokësore dhe marrje të zonave strategjike në Liban

 

Izraeli thotë se trupat tokësore do të “avancojnë dhe do të marrin nën kontroll zona të tjera strategjike në Liban”

Sapo kemi parë një deklaratë, të përkthyer nga hebraishtja, nga Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shkruan BBC transmeton "Bota sot".

Ai thotë se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu “kanë autorizuar IDF-në që të avancojë dhe të marrë nën kontroll zona të tjera strategjike në Liban për të parandaluar sulmet me zjarr ndaj komuniteteve izraelite në kufi”.

Ai vazhdon: “IDF-ja vazhdon të veprojë me forcë kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Organizata terroriste po paguan – dhe do të vazhdojë të paguajë – një çmim të lartë për zjarrin e saj drejt Izraelit.”

Katz shton se Izraeli është i vendosur të “mbrojë komunitetet kufitare”, duke thënë: “Ne u kemi premtuar siguri komuniteteve të Galilesë, dhe këtë do ta realizojmë.”

SHBA-ja thotë se ka shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të IRGC-së

Komanda Qendrore e SHBA-së - Centcom tha se, gjatë operacioneve të vazhdueshme në Iran, forcat amerikane kanë shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kapacitetet e mbrojtjes ajrore iraniane, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe aeroportet ushtarake.

"Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime kundër kërcënimeve të menjëhershme që vijnë nga regjimi iranian", tha Centcom.

Njoftimi:

Mes kaosit në Iran, Ali Larijani del si lojtar kryesor

Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa - e ndoshta edhe dhjetëra - udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.

Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ, dhe që atëherë, ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Rikthimi politik

Një moment vendimtar për fatin e Larijanit ishte lufta 12-ditore e Iranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, në qershor të vitit të kaluar.

Vitin paraprak, 67-vjeçarit i ishte ndaluar të kandidonte për president për herë të dytë në tre vjet.

Por në gusht, pas konfliktit, ai u emërua në postin e rëndësishëm të sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit - organit kryesor për hartimin e politikave në vend.

“Disa zhvillime të rëndësishme ndodhën gjatë luftës 12-ditore. Një çështje e madhe, siç u theksua nga zyrtarët në media, ishte llogaritja e gabuar e aftësive mbrojtëse të Iranit”, tha analisti politik iranian në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë në atë kohë.

“Megjithatë, çështja më kritike - ajo që kishte përparësi mbi të gjitha të tjerat - ishte të kuptuarit se, në kohë lufte, nuk mund të mbështetesh tek udhëheqësi suprem [Ajatollah Ali Khamenei]”, tha Dorbeigi.

Khamenei tani është i vdekur, ndërsa mbrojtja ajrore e Iranit është e mbingarkuar.

Larijani është bërë një nga zërat më të fuqishëm zyrtarë në Iran.

Deri më tani, është zë sfidues - më 2 mars, ai tha se Irani “nuk do të negociojë”.

Ai e pasoi këtë deklaratë me postime agresive në X, duke përfshirë mesazhe që, mësa dukej, tallnin presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Trump e tradhtoi politikën ‘Amerika e para’ për të miratuar politikën ‘Izraeli i pari’”, shkroi ai në një postim në gjuhën angleze me shkronja të mëdha.

Më 1 mars, Larijani njoftoi se është ngritur një këshill i ri udhëheqës i përkohshëm, për të qeverisur Iranin derisa të zgjidhet pasardhësi i Khameneit.

Ky këshill përbëhet nga Alireza Arafi, një figurë e lartë në establishmentin klerik; presidenti Masud Pezeshkian dhe kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

Sipas Kushtetutës së Iranit, ky këshill do ta udhëheqë vendin derisa Asambleja e Ekspertëve prej 88 anëtarësh të mund të mblidhet për të zgjedhur udhëheqësin e ri suprem.

“Aktualisht, nuk ka shenja të qarta të kolapsit brenda Iranit. Strukturat vendimmarrëse mbeten funksionale. Institucionet e sigurisë po veprojnë në mënyrë kohezive”, shkroi më 2 mars në rrjetet sociale Danny Citrinowicz, studiues i lartë i Iranit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit.

I lindur në Irak

Larijani lindi në Naxhaf të Irakut në vitin 1958, në një familje klerikësh iranianë.

Familja e tij u zhvendos në Iran kur ai ishte ende fëmijë dhe, si i ri, përjetoi Revolucionin Islamik në vitin 1979.

Ai ishte komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ku shërbeu midis viteve 1981-83, kaloi një dekadë si udhëheqës i televizionit dhe radios shtetërore nga viti 1994, ishte kryenegociator për çështje bërthamore i Iranit nga viti 2005 deri në vitin 2007 dhe shërbeu si kryetar i Parlamentit nga viti 2008 deri në vitin 2020.

Ai gjithashtu mbajti rolin aktual të sigurisë nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Në rolet e tij të larta, Larijani fitoi famë ndërkombëtare, sidomos për mbështetjen që i dha marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore.

Administrata e parë Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje, por Larijani mbeti i përfshirë si këshilltar kryesor i Khameneit për çështjet bërthamore.

Që nga riemërimi i tij në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, pushteti dhe rëndësia e tij u rritën edhe më.

Gjatë shtypjes brutale të protestuesve në janar, Uashingtoni e shtoi atë në listën e të sanksionuarve.

“Larijani ishte një nga udhëheqësit e parë iranianë që bëri thirrje për dhunë, në përgjigje të kërkesave legjitime të popullit iranian”, tha përmes një deklarate Thesari i SHBA-së më 15 janar.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se mijëra njerëz u vranë nga forcat iraniane të sigurisë, megjithëse numri i vërtetë mendohet të jetë shumë më i lartë.

Muajin e kaluar, Larijani vizitoi Omanin për t’u përgatitur për bisedimet indirekte me negociatorët amerikanë, që në fund dështuan të shmangnin luftën.

Ai ishte gjithashtu një vizitor i shpeshtë në Moskë muajve të fundit, por marrëdhëniet me Rusinë nuk arritën ta ndihmojnë në mbrojtjen e Iranit as në këtë dhe as në konfliktin e mëparshëm.

Gjatë kësaj kohe, Larijani dukej se po i qëndronte reputacionit të tij si pragmatist, duke deklaruar se çështja bërthamore është “e zgjidhshme” dhe duke u shprehur i hapur ndaj bisedimeve.

Por kjo, për momentin, është zëvendësuar me një ton më të ashpër. / REL

Trump: “Do ta mësoni shumë shpejt” për reagimin ndaj sulmit në ambasadën në Riad

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha një gazetari se “do ta mësoni shumë shpejt” kur u pyet për reagimin ndaj sulmit në Ambasadën amerikane në Riad dhe vdekjen e ushtarëve amerikanë në konfliktin me Iranin.

Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi sot në X se dy dronë goditën Ambasadën amerikane në Riad, duke shkaktuar një zjarr të vogël dhe dëme të kufizuara materiale, sipas një vlerësimi paraprak.

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Kuvajt bëri të ditur se do të qëndrojë e mbyllur deri në njoftimin e radhës, “për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale”.

Mbyllet Ambasada amerikane në Kuvajt

Ambasada amerikane në Kuvajt është mbyllur "deri në njoftimin e radhës".

Në deklaratën e shpërndarë në X thuhet se vendimi është marrë për shkak të "tensioneve të vazhdueshme rajonale".

"Kemi anuluar të gjitha takimet konsullore - të rregullta dhe emergjente", thuhet në postim.

Më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u bëri thirrje amerikanëve në shumë pjesë të Lindjes së Mesme - përfshirë Kuvajtin - që të largohen me mjete komerciale, për shkak të "rreziqeve serioze të sigurisë".

Mbyllja e ambasadës në Kuvajt vjen pasi Ambasada amerikane në Riad u sulmua nga dy dronë gjatë natës. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat