LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 21:59 më 06.04.2026
Donald Trump

Trump thotë se kalimi i naftës përmes Hormuzit duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje

Nga: A.Sh

Trump tani pyetet nëse do të merrte në konsideratë përfundimin e konfliktit në Iran me Teheranin që vendos taksa për kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti amerikan thotë se do të preferonte që SHBA-të të vendosnin taksa për anijet, duke thënë "ne jemi fituesi".

"Ne fituam", thotë ai. "Ata janë të mundur ushtarakisht... ne kemi një koncept ku do të vendosim taksa".

Trump thotë se për të përmbushur afatin e tij 48-orësh - i cili do të përfundojë në orën 20:00 të martën (01:00 të mërkurën) - duhet të ketë një marrëveshje me Iranin "që është e pranueshme për mua", duke shtuar se "një pjesë e asaj marrëveshjeje do të jetë që ne duam trafik të lirë të naftës".

Trump thotë se anijet britanike 'mezi funksionojnë'

Nga: A.Sh

Trump është ende në podium duke iu përgjigjur pyetjeve.

Ai thotë se problemi më i madh që SHBA-të kanë aktualisht në negociata është se zyrtarët iranianë nuk mund të komunikojnë.

Trump shton se është shumë i zhgënjyer me vendet e NATO-s pasi aleatët refuzuan kërkesën e tij për t'u bashkuar me misionin iranian. Ai thotë se ishte më i zhgënjyer me Mbretërinë e Bashkuar.

"Ata kanë dy transportues të vjetër aeroplanësh të prishur", thotë ai, duke shtuar se anijet britanike "mezi funksionojnë".

Trump: 4 orë pas mbarimit të afatit, çdo urë në Iran do të shkatërrohet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar për masa të ashpra ushtarake ndaj Iranit, duke përfshirë shkatërrimin e infrastrukturës së tyre, nëse nuk arrihet një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me kërcënimet ndaj objekteve civile, Trump deklaroi se ShBA ka një plan konkret për të shkatërruar të gjitha urat dhe termocentralet në Iran deri në mesnatën e së mërkurës, vetëm disa orë pas afatit të vendosur për Teheranin.

“Kemi një plan ku çdo urë në Iran do të shkatërrohet dhe çdo termocentral do të dalë jashtë funksioni deri në orën 12 të natës. Flasim për një shkatërrim të plotë,” u shpreh ai.

Presidenti amerikan shtoi se ky operacion mund të realizohet brenda një periudhe prej katër orësh, por theksoi se SHBA nuk dëshiron që një skenar i tillë të ndodhë.

Sipas raportimeve, Trump i ka dhënë Iranit afat deri në orën 20:00 sipas kohës lindore të SHBA-së të martën për të rihapur plotësisht Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në të kundërtën.

Zhvillimet e fundit vijnë në një klimë të tensionuar në rajon, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

​Trumpit i pëlqen propozimi i Iranit për ta ndalur luftën, krejt dhe menjëherë

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur “një hap shumë të rëndësishëm” përgjigjen e Iranit në propozimin e tij të fundit për paqe.

“Le të shohim se çfarë do të ndodh. Ata kanë bërë një propozim dhe është një propozim i rëndësishëm, është një hap i rëndësishëm. Nuk është i mjaftueshëm, por është një hap shumë i rëndësishëm”, tha ai të hënën, duke folur në Shtëpinë e Bardhë gjatë aktivitetit tradicional të Pashkëve.

Presidenti i bëri këto komente në një kohë kur Irani hodhi poshtë propozimin e fundit për armëpushim dhe kërkoi një përfundim të përhershëm të luftës, ndërsa afrohej ultimatumi i Trump për progres, në mënyrë që sic ka thënë ai, të shmanget një përshkallëzim edhe më i madh I sulmeve ndaj centraleve energjetike dhe urave.

Afati i Trump lidhet me hapjen nga ana e Teheranit të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje.

Trump tha se beson që Irani po “negocion me mirëbesim”, por shtoi se “ata thjesht nuk duan të thonë ‘dorëzohemi’”.

“Ata nuk duan të pranojnë humbjen, por do ta bëjnë”, tha shefi I Shtëpisë së Bardhë, përcjellë AP, transmeton KosovaPress. “Dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë nuk do të kenë ura, nuk do të kenë centrale energjetike, nuk do të kenë asgjë. Nuk do të shkoj më tej, sepse ka gjëra edhe më të këqija se këto dyja”.

Trump bëri edhe një koment interesant teksa foli për popullin iranian kur tha se ata “zemërohen” kur “nuk dëgjojnë shpërthime”.

“Ata duan të dëgjojnë shpërthime sepse duan të jenë të lirë. Dhe arsyeja e vetme pse nuk dalin në protesta është sepse janë paralajmëruar se nëse protestojnë…do të qëllohen menjëherë”, tha ai.

Trump ia zgjat afatin Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përsëritur kërcënimin e tij për sulme në infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit.

Ai i ka bërë këto deklarata disa orë pasi forcat amerikane e kanë shpëtuar një anëtar të ekipit që është rrëzuar nga një aeroplan luftarak F-15.

“E marta e 7 prillit do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni”, ka shkruar Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Periudha e ultimatumeve të Trumpit ka ndryshuar disa herë në postimet e tij që i ka bërë së fundmi në rrjetet sociale, ose në intervistat e tij.

Në një intervistë më 5 prill për të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, Trump ka thënë se Irani duhet ta hapë ngushticën brenda dy ditësh ose në të kundërtën “do të mbeten pa termocentralet dhe centralet tjera që i kanë në gjithë shtetin”. Fillimisht, Trump ka sinjalizuar se afati i fundit ishte 6 prilli.

Më vonë e ka bërë një postim tjetër: “E martë, ora 8:00 në mbrëmje sipas kohës lindore!”, pa ofruar më shumë hollësi.

Pavarësisht kërcënimeve, Trump ka thënë në një intervistë në Fox News se Teherani është “duke negociuar tani” dhe beson se ka mundësi të mira që të arrihet një marrëveshje në 24 orët e ardhshme.

“Mendoj se ka mundësi të mira për 6 prill. Po negociohet tani. Nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, po e shqyrtoj shkatërrimin e gjithçkaje dhe marrjen e naftës”, ka shtuar ai.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i japin fund “lojës së rrezikshme”, duke e ndalur luftën me Teheranin.

Qalibaf, i konsideruar nga disa në Shtëpinë e Bardhë si partner i mundshëm, e ka akuzuar Uashingtonin përmes një postimi në rrjetet sociale më 5 prill se po bën “hapa të pamatur” në konflikt dhe që “i gjithë rajoni do të digjet”.

Mes tjerash, Trump ka thënë se SHBA-ja u ka dhënë armë protestuesve iranianë “përmes kurdëve”.

“Besoj se kurdët i kanë mbajtur ato”, ka shtuar presidenti amerikan.

Kjo ka qenë referencë për protestat që kanë shpërthyer në fund të dhjetorit në Iran, për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, para se të zgjeroheshin në protesta kundër regjimit në gjithë shtetin.

Dhjetëra mijëra iranianë janë vrarë apo arrestuar në protestat, të cilat janë shtypur me dorë të hekurt nga shteti.

Paralajmërimet e Trumpit vijnë teksa Irani e ka mbyllur pothuajse tërësisht Ngushticën e Hormuzit, prej nga kalon 20 për qind e furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Si përfundim, çmimet e energjisë janë rritur në gjithë botën.

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka nisur më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa me dronë kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, dhe në disa raste i ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane.

Propozimet për armëpushim, Irani jep përgjigjien e qëndrimeve të tij

Iran ka formuluar qëndrimet dhe kërkesat e tij në përgjigje të propozimeve të fundit për armëpushim të përcjella përmes ndërmjetësve, sipas një zëdhënësi të i ministrisë së jashtme të Iranit. Negociatat u përshkruan si “të papajtueshme me ultimatumet dhe kërcënimet për të kryer krime lufte”.

Zëdhënësi Esmaeil Baghaei deklaroi se Teherani kishte përcjellë tashmë një sërë kërkesash bazuar në interesat kombëtare përmes kanaleve ndërmjetëse. Ai shtoi se kërkesat e mëparshme të SHBA-së, përfshirë një plan 15-pikësh, u refuzuan si “të tepërta”.

“Irani nuk ngurron të shprehë qartë ato që i konsideron kërkesat e tij legjitime dhe kjo nuk duhet interpretuar si një shenjë kompromisi, por si një reflektim i besimit të tij për të mbrojtur pozicionet e veta”, tha Baghaei gjatë një konference për shtyp.

Ai konfirmoi se përgjigjet janë formuluar dhe do të shpallen në kohën e duhur, duke iu referuar përpjekjeve për të arritur një armëpushim mes Iranit dhe Amerikës.

Sulmet amerikane-izraelite, evakuohen tetë spitale iraniane

Ministria e Shëndetësisë e Iranit tha sot se tetë spitale janë evakuuar pas sulmeve amerikane dhe izraelite në vend.

Ministria tha se 54 qendra emergjence, 46 njësi trajtimi dhe 216 qendra shëndetësore janë dëmtuar deri më tani në konflikt, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. Përveç kësaj, dhjetëra ambulanca kanë pësuar dëme, ndërsa më shumë se 20 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë.

Ndërkohë, Jagan Chapagain, sekretar i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga raportet se një ambulancë e Gjysmëhënës së Kuqe iraniane u godit dje ndërsa po përgjigjej për një emergjencë. Ai tha se askush nuk u lëndua në sulm, por automjeti u shkatërrua.

“Që nga përshkallëzimi i armiqësive, disa ambulanca të Gjysmëhënës së Kuqe janë dëmtuar dhe katër vullnetarë kanë humbur jetën duke shpëtuar të tjerë – vetëm në pesë javë konflikti”, postoi Chapagain në X, ndërsa bëri thirrje për mbrojtjen e vendeve humanitare.

​Izraeli sulmon një uzinë të madhe petrokimike iraniane pas kërcënimeve të Trump për infrastrukturën

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ata kanë goditur një strukturë petrokimike në Iran, ndërsa thotë se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) janë udhëzuar të vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën iraniane "me të gjithë forcën".

"IDF tani ka sulmuar fuqishëm uzinën më të madhe petrokimike në Iran që ndodhet në [Asaluyeh]", thotë ai, duke shtuar se uzina prodhoi rreth gjysmën e petrokimikateve të vendit.

Sulmi i ri vjen pas një sulmi ndaj një objekti tjetër "javën e kaluar", thotë Katz, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

"Tani të dy objektet, të cilat së bashku janë përgjegjëse për rreth 85% të eksporteve petrokimike të Iranit, janë nxjerrë jashtë funksionit dhe nuk funksionojnë", thuhet në deklaratën e Katz.

"Ky është një goditje e rëndë ekonomike me vlerë dhjetëra miliarda dollarë për regjimin iranian. Industria petrokimike është një motor i madh në financimin e aktiviteteve të Gardës Revolucionare dhe në ndërtimin e fuqisë ushtarake të Iranit."

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim ka raportuar në momentet e fundit se dy kompani petrokimike janë sulmuar.

Pakistani propozon një plan me dy faza për rihapjen e Hormuzit, mund të hyjë në fuqi sot

Irani dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një plan për t’i dhënë fund armiqësive, i cili mund të hyjë në fuqi që sot dhe të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Reuters.

Sipas raportit, Pakistani ka përgatitur një kornizë ndërmjetësimi që iu dorëzua të dy palëve gjatë natës. Plani bazohet në një qasje dyfazore, duke filluar me një armëpushim të menjëhershëm dhe më pas me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Burimi tha se “të gjitha elementet duhet të bien dakord sot”, duke shtuar se marrëveshja fillestare do të formalizohet në formën e një memorandumi mirëkuptimi, i cili do të finalizohet përmes Pakistanit si kanali kryesor i komunikimit.

Sipas të njëjtit raport, marrëveshja e propozuar përfshin zotimin e Iranit për të hequr dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike dhe zhbllokimit të aseteve të tij jashtë vendit.

Netanyahu: Do të vazhdojmë me forcë të plotë në të gjitha frontet deri në eliminimin e kërcënimit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij do të vijojë operacionet ushtarake me intensitet të plotë në të gjitha frontet, deri në largimin përfundimtar të kërcënimeve ndaj sigurisë.

Në një reagim në platformën X, Netanyahu përshëndeti vrasjen e kreut të inteligjencës së Gardës Revolucionare iraniane, Islamic Revolutionary Guard Corps, Majid Khatemi, gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite.

Ai gjithashtu konfirmoi eliminimin e Yazdan Mir, i njohur me pseudonimin “Sardar Bagheri”, drejtues i Njësisë 840 të forcës Quds, të cilin e akuzoi si përgjegjës për sulme ndaj hebrenjve dhe izraelitëve në mbarë botën.

“Çdokush që përpiqet të vrasë qytetarët tanë, kushdo që drejton terror kundër Izraelit, kushdo që ndërton boshtin iranian të së keqes – mban vetë përgjegjësi për gjakun e derdhur. Ne veprojmë me forcë dhe vendosmëri dhe do të arrijmë këdo që kërkon të na dëmtojë”, u shpreh Netanyahu.

Ai theksoi se operacionet do të vijojnë pa ndërprerje: “Do të vazhdojmë me forcë të plotë, në të gjitha frontet, deri sa kërcënimi të eliminohet dhe të arrihen të gjitha objektivat e luftës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat