LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 11:03 më 01.04.2026
Donald Trump

Trump thotë se brenda “dy-tre javësh” SHBA-ja do të largohet nga Lindja e Mesme

Nga: Presidenti amerikan, Donald Trump, në Zyrën Ovale më 31 mars 2026.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se pret që lufta me Iranin të përmbyllet brenda “dy apo tre javësh”.

Ai i bëri këto deklarata teksa nënshkroi një urdhër ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë më 31 mars. Trump tha po ashtu se “Franca dhe shtete të tjera”, sikurse Kina, duhet “të mbrohen vetë” sa i përket kalimit të Ngushticës së Hormuzit, që praktikisht është mbyllur nga Irani në shenjë hakmarrje për sulmet amerikane dhe izraelite që kanë nisur ndaj Iranit më 28 shkurt.

“Ne i kemi goditur fort. Ne kemi eliminuar shumë prej të çmendurve të radikalizuar përgjatë ngushticës”, pretendoi ai, duke shtuar se “brenda dy javësh, ndoshta tre, ne do të largohemi” nga rajoni.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së voni ka përsëritur disa herë se është çështje javësh, e jo muajsh, përmbyllja e konfliktit me Iranin.

Presidenti Trump tha se “ne po negociojmë aktualisht me ta”, duke shtuar se “ne kemi parë ndryshim të regjimit, edhe pse regjimi nuk ishte një prej qëllimeve të mia”.

Teherani dhe Uashingtoni kanë dërguar mesazhe të përziera lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në një intervistë për Al Jazeera të transmetuar më 1 prill tha se “nuk po zhvillohet” asnjë negociatë me SHBA-në dhe se Teherani “nuk i është përgjigjur” planit të raportuar të Uashingtonit prej 15 pikash për përfundimin e luftës.

“Ne kemi pranuar mesazhe nga amerikanët, disa të drejtpërdrejta, disa përmes miqve tanë në rajon, dhe ne do t’iu përgjigjemi këtyre mesazhe kurdo që të jetë e nevojshme”, tha ai.

“Nuk ka bazë për negociata [me SHBA-në]”, tha ai, duke shtuar se sigurisht disa mesazhe janë këmbyer drejtpërdrejt me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff.

Plani amerikan, sipas raportimeve, përsërit kërkesat e Uashingtonit që Irani të çmontojë objektet e tij bërthamore, të kufizojë kapacitetet e tij raketore dhe të ndalë mbështetjen për forcat aleate në rajon.

Jozyrtarisht, Teherani i është përgjigjur ashpër planit me 15 pika të Uashingtonit, duke thënë se kushtet e SHBA-së janë të tepruara dhe se do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe nëse plotësohen kushtet e tij, duke këmbëngulur se ka të drejtë të zhvillojë programin e tij të raketave balistike. / REL

Irani po lëshon më pak raketa, por po godet më shumë caqe

Në ditën e parë të luftës, Irani gjuajti qindra raketa balistike dhe breshëri masive, që kishin për synim që përmes numrit të madh të tyre të mbingarkonin mbrojtjen ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Shumë prej tyre u rrëzuan.

Që nga 28 shkurti, Teherani ka lëshuar më pak raketa me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi – mesatarisht disa dhjetëra në ditë. Megjithatë, shkalla e goditjes së tyre është rritur, sipas analistëve ushtarakë që analizojnë të dhëna nga burime të hapura.

Pse?

Kjo është pjesërisht si rezultat i dobësimit të kapaciteteve ushtarake të Iranit nga SHBA-ja dhe Izraeli, por edhe për shkak se Teherani po ruan arsenalin e mbetur dhe po bëhet gjithnjë e më selektiv në objektivat që godet, thanë ekspertët.

“Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit qartazi kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e raketahedhësve të Iranit”, tha Kelly Grieco, hulumtuese e lartë në Qendrën Stimson, institut me seli në Uashington. “Ky dobësim fizik ka gjasa të shpjegojë një pjesë të madhe të ritmit të lëshimeve” të raketave.

“Por, Irani duket se ka bërë po ashtu një zgjedhje të qëllimshme për të ndryshuar strategjinë”, shtoi ajo. “Me kalimin e kohës, Irani është orientuar drejt breshërive më të vogla, por më të sakta, që kanë për cak objektiva specifikë me vlerë më të lartë”.

Këto caqe përfshijnë instalacione kyç ushtarake amerikane dhe sisteme radari në Lindjen e Mesme, infrastrukturën kritike të naftës dhe gazit të aleatëve arabë të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe objekte industriale dhe energjetike në Izrael.

Duke gjuajtur një numër relativisht të vogël raketash, Irani duket se po arrin qëllimet e tij kryesore të luftës – zgjerimin e fushëbetejës, pengimin e ekonomisë botërore dhe imponimin e kostove të drejtpërdrejta ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.

“Pak raketa”

Eliminimi i arsenalit të madh të raketave balistike të Iranit ka qenë një nga objektivat kryesore të luftës njëmujore, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli kanë goditur rëndë raketahedhësit në tokë dhe rezervat e tyre si dhe depot nëntokësore të raketave në këtë shtet të Lindjes së Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 26 mars se Irani ka “shumë pak raketa që i kanë mbetur”. Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë pretenduar se kapacitetet balistike të Teheranit janë shkatërruar plotësisht.

Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë kanë thënë se më shumë se 10.000 objektiva iraniane janë goditur që nga fillimi i sulmeve ajrore.

Uashingtoni ka vënë në pah një rënie prej 90 për qind të lëshimeve të raketave nga Irani që nga fillimi i luftës dhe e ka paraqitur këtë si dëshmi të suksesit të tij në pothuajse eliminimin e plotë të programit raketor të Teheranit.

Izraeli ka deklaruar se të paktën 70 për qind e raketahedhësve dhe rezervave të raketave të Iranit janë shkatërruar që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, zhurma e sirenave që paralajmërojnë sulme ajrore janë përditshmëri në gjithë Lindjen e Mesme.

Republika Islamike po gjuan mesatarisht 20 deri në 30 raketa balistike në ditë, sipas analistëve ushtarakë që ndjekin aktivitetin ushtarak të Iranit. Përveç kësaj, vendi vazhdon të lëshojë çdo ditë dhjetëra dronë të lirë, por vdekjeprurës dhe me efekt shkatërrues.

Kjo, sipas ekspertëve, sugjeron se Irani ende ka qasje në raketahedhës dhe stoqe, pavarësisht bombardimeve të rënda nga SHBA-ja dhe Izraeli. Irani po ashtu duket se po shkon gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të raketahedhësve mobilë.

Një raport i Reuters-it duket se bie ndesh me pretendimet e SHBA-së dhe Izraelit se arsenali i raketave balistike të Iranit është shkatërruar plotësisht. Kjo agjenci lajmesh citoi burime të saj më 27 mars që thanë se SHBA-ja mundet vetëm të përcaktojë me saktësi vetëm se kanë shkatërruar rreth një të tretën e rezervës të raketave të Teheranit.

Dr. Farzan Sabet, ekspert për Iranin në Institutin Geneva Graduate, tha se Irani ka “investuar në një kapacitet të madh raketash dhe dronësh, i cili është relativisht mirë i shpërndarë, i fortifikuar dhe i fshehur në të gjithë territorin e gjerë dhe terrenin e vështirë të vendit”.

“Ka gjasa që administrata e Trumpit dhe Izraeli e kanë ekzagjeruar se sa shumë i kanë dobësuar kapacitetet balistike dhe të dronëve të Iranit”, tha ai. “Po ashtu, SHBA-ja dhe Izraeli mund të kenë nënvlerësuar rezervat e raketave dhe kapacitetin e raketahedhësve të Iranit”.

Vlerësimet për raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi të Iranit variojnë nga 2.000 deri në 8.000.

“Në raste të tjera, SHBA-ja ose Izraeli po godasin hyrjet e ‘qyteteve nëntokësore të raketave’ të Iranit, duke i bërë ato teknikisht jofunksionale”, shtoi Sabet. “Por, ne e dimë që ushtria iraniane është e trajnuar për të rihapur shpejt hyrjet e këtyre objekteve, duke u mundësuar atyre të ‘rikthejnë’ atë që është llogaritur si humbje e rezervave të raketave dhe kapacitetit të raketahedhësve”.

Caqet me vlerë të lartë

Ndërkaq, pavarësisht dobësimit të arsenalit të tij, shkalla e goditjes së Iranit është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë luftës, sipas analistëve ushtarakë që analizojnë të dhëna nga burime të hapura.

SHBA-ja dhe aleatët e saj arabë kanë përdorur pengues të avancuar të raketave për të bllokuar breshëritë iraniane. Izraeli është detyruar të kufizojë përdorimin e armëve të tij më të fuqishme mbrojtëse, raportoi The Wall Street Journal, duke e lënë Izraelin më të cenueshëm ndaj sulmeve të mëtejshme iraniane.

Ushtria amerikane ka lëshuar mbi 850 raketa lundruese Tomahawk gjatë luftës, sipas The Washington Post. Vetëm disa qindra raketa të tilla prodhohen çdo vit, gjë që po shkakton shqetësime për furnizimin.

Sipas Responsible Statecraft, një revistë online e lidhur me Institutin Quincy me seli në Uashington, boshllëqet në mbrojtjen ajrore mund të jenë po ashtu rezultat i dështimeve në zbulimin e raketave. Irani ka goditur radarët dhe sensorët që formojnë bazën e rrjetit të mbrojtjes ajrore që e ndajnë SHBA-ja, Izraeli dhe aleatët e Gjirit Persik.

Ekspertët thonë se Irani është bërë po ashtu më selektiv se kur, ku dhe ndaj çfarë objektivi lëshon raketa, duke ruajtur arsenalin e mbetur për objektiva me vlerë të lartë.

Në një shkelje të madhe të mbrojtjes ajrore të SHBA-së, një sulm iranian me raketa dhe dronë goditi bazën ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite më 27 mars, duke plagosur të paktën 12 ushtarë amerikanë dhe duke dëmtuar rëndë të paktën dy aeroplanë të llojit KC-135, që përdoren për të furnizuar me karburante aeroplanë të tjerë.

Më 21 mars, raketat iraniane për herë të parë goditën qytetet Arad dhe Dimona në jug të Izraelit, duke plagosur dhjetëra njerëz. Këto qytete ndodhen pranë një prej instalacioneve kyç të kërkimeve bërthamore dhe një reaktori, dhe është një nga objektivat më të mbrojtur në Izrael.

“Duke përqendruar dronët dhe raketat e saj ndaj infrastrukturës së madhe, si rafineritë, aeroportet dhe objektet energjetike, edhe një goditje nga Irani pranë cakut mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme”, tha Kelly Grieco nga Qendra Stimson.

“Çdo valë e njëpasnjëshme ka prodhuar po ashtu reagime operative që Irani me gjasa po i inkorporon, duke mësuar se cilat trajektore dhe intervale kohe ofrojnë shanset më të mira për depërtim”, shtoi ajo.

Grieco tha se pret që shkalla e goditjes së Iranit të mbetet e qëndrueshme ose të vazhdojë të rritet gradualisht, përveç nëse ndodh një armëpushim ose një ndryshim dramatik i luftës. / REL

Çfarë mësuam nga deklaratat e fundit të Trump në Zyrën Ovale

Disa orë më parë, dëgjuam nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ja një përmbledhje e asaj që tha ai:

Trump u tha gazetarëve se SHBA-të "do të largohen [nga Irani] shumë shpejt" dhe veprimi ushtarak i SHBA-së mund të përfundojë brenda "dy ose tre javësh".

Ai thotë se SHBA-të kanë arritur qëllimet e vendosura para se të fillonin sulmet ajrore kundër Iranit në fund të muajit të kaluar në bashkëpunim me Izraelin. Ai thotë se qëllimi kryesor i kufizimit të aftësisë së Iranit për të pasur një armë bërthamore është arritur dhe SHBA-të tani po "përfundojnë punën".

Trump thotë se SHBA-të tani dominojnë qiellin iranian dhe gjithashtu kanë arritur ndryshimin e regjimit pas vrasjeve të shumë udhëheqësve të lartë politikë dhe ushtarakë. Ai i përshkroi udhëheqësit e rinj në Teheran si "shumë më pak të radikalizuar" dhe "më racionalë" krahasuar me paraardhësit e tyre.

Trump gjithashtu thotë se udhëheqësit iranianë po "luten të bëjnë një marrëveshje" me SHBA-në për t'i dhënë fund luftës, gjë që më parë është mohuar nga Irani.

Ai shton se lufta mund të përfundojë pa një marrëveshje të ndërmjetësuar midis të dyja palëve.

Lidhur me ndikimin e luftës në rritjen e çmimeve të karburantit, presidenti thotë se ato do të ulen sapo SHBA-të të përfundojnë veprimet e tyre ushtarake.

Cisternë e goditur nga dy predha pranë brigjeve të Katarit

Nga: A.Sh

Një cisternë u përfshi nga flakët pasi u godit nga dy predha, përfshirë një që nuk shpërtheu, pranë brigjeve të Katarit, tha Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).

Incidenti ndodhi 17 milje detare në veri të kryeqytetit, Doha, duke shkaktuar dëme në trupin e anijes mbi vijën e ujit, tha ajo.

UKMTO tha se nuk ishte në gjendje të konfirmonte burimin e sendit të pashpërthyer, i cili ndodhej në dhomën e motorëve të anijes.

Të gjithë anëtarët e ekuipazhit ishin të sigurt dhe nuk u raportua asnjë ndikim në mjedis, ndërsa zjarri është shuar që atëherë.

Fabrika iraniane e çelikut goditet nga një sulm amerikano-izraelit

Një uzinë çeliku iraniane është goditur nga një sulm amerikano-izraelit, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Është hera e dytë këtë javë që kompleksi i çelikut Mobarakeh në qytetin e Isfahanit është shënjestruar, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Ajo tha se shkalla e dëmeve njerëzore dhe materiale nga sulmi është aktualisht duke u vlerësuar dhe detaje të mëtejshme do të njoftohen në kohën e duhur.

'Zjarr masiv' në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit pas sulmit me dron

Një sulm me dron në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit ka shkaktuar një "zjarr masiv", sipas mediave shtetërore.

KUNA, agjencia shtetërore e lajmeve e Kuvajtit, tha se sulmi - i fundit nga disa që nga fillimi i konfliktit - kishte në shënjestër rezervuarët e karburantit, por nuk ishte raportuar për viktima.

Rubio: Fundi i luftës në Iran është afër

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thotë se ShBA-ja po shkëmben mesazhe me Iranin dhe se fundi i luftës është afër.

“Po zhvillohen bisedime”, i tha ai Sean Hannity në Fox News.

“Ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë në një moment të caktuar. Ne gjithmonë do të jemi të hapur për këtë”.

Por, shton ai, Presidenti Trump nuk do të lejojë që “negociatat e rreme të përdoren si taktikë vonese, për të blerë më shumë kohë”.

Ndërsa thotë se nuk dëshiron të vendosë një afat kohor, megjithatë shtoi: “ne mund ta shohim vijën e finishit”.

Sekretari gjithashtu kritikon NATO-n, duke thënë se ShBA mund të duhet të rishqyrtojë nëse aleanca “që i ka shërbyer mirë këtij vendi për një kohë ende po i shërben atij qëllimi”.

Britania rrit mbrojtjen ajrore në Gjirin Persik me vendosjen e sistemeve shtesë

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar vendosjen e sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore në vendet e Gjirit Persik, në një përpjekje për të forcuar “mbrojtjen kolektive të aleatëve” përballë kërcënimeve në rritje nga Iran.

Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se kapacitete jetike të mbrojtjes ajrore po dislokohen në rajon për të mbështetur partnerët e Gjirit kundër sulmeve me raketa dhe dronë.

Gjatë një vizite në rajon, Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, bëri të ditur se sistemi i mbrojtjes ajrore Sky Sabre do të vendoset në Arabia Saudite, ndërsa prania e avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon do të zgjatet në Katari.

Ai shtoi gjithashtu se një sistem mbrojtës ajror me rreze të shkurtër veprimi është vendosur tashmë në Bahrein, ndërsa një sistem raketor tokësor ka mbërritur në Kuvajt.

“Mesazhi im për partnerët e Gjirit është: Më e mira e Britanisë do t’ju ndihmojë të mbroni qiellin tuaj”, u shpreh Healey, duke theksuar se Londra do të vazhdojë të mbështesë aleatët e saj dhe të punojë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në rajon.

“Human Rights Watch” dënon rekrutimin ushtarak të fëmijëve në Iran

Organizata mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut ”Human Rights Watch” (HRW) dënoi me forcë rekrutimin e fëmijëve nga Trupa e fuqishme e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit.

“Rekrutimi dhe përdorimi ushtarak i fëmijëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve dhe një krim lufte kur fëmijët janë nën 15 vjeç”, tha organizata me seli në SHBA.

“Kjo do të thotë se autoritetet iraniane me sa duket janë të gatshme të rrezikojnë jetën e fëmijëve për pak fuqi punëtore shtesë”, tha Bill Van Esveld i HRW.

Komentet vijnë pas thirrjeve nga një organizatë në varësi të IRGC-së për të mobilizuar vullnetarë në Teheran.

”Ata që janë të interesuar mund të regjistrohen në xhami dhe në baza”, tha zyrtari i IRGC-së Rahim Nadali.

Fushata e rekrutimit, e titulluar “Luftëtarët që mbrojnë atdheun për Iranin” është e hapur për këdo të moshës 12 vjeç e lart.

Sipas një raporti nga agjencia e lajmeve Mehr, detyrat e vullnetarëve përfshijnë pjesëmarrjen në patrulla zbulimi dhe patrulla operative.

Pjesëmarrësit në fushatë ofrojnë gjithashtu mbështetje në luftën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në fushat e logjistikës dhe furnizimit, për shembull në kuzhinë dhe shpërndarjen e mallrave.

Mbetet e paqartë se në cilat fusha do të përfshihen fëmijët.

Trupat amerikane 'lëvizin sa më shpejt të jetë e mundur për të fituar', thotë Hegseth

Nga: A.Sh

Sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, e fillon informimin duke përshkruar kohën e kaluar në terren në fundjavë me trupat që luftonin në atë që administrata Trump e quan "Operacioni Epic Fury".

Ai tha se pa një "urgjencë" midis ushtrisë.

Kjo ndjenjë "ishte krejt e kundërta e njësive rrotulluese vit pas viti në luftërat në Irak dhe Afganistan", tha Hegseth, duke thënë se trupat në ato konflikte nuk e dinin kurrë se kur do të mbaronte misioni ose "saktësisht se çfarë ishte misioni".

"Jo me Epic Fury. Pashë urgjencën për të përfunduar punën, urgjencën për të arritur suksesin e misionit, duke mos parë rotacionin tjetër, vetëm duke lëvizur sa më shpejt të jetë e mundur për të fituar", tha ai.

"Ajo që pashë ishte motivimi. Ishte thjesht fokusi i misionit."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat