​Izraeli refuzon të diskutojë me Hezbollahun, është pro bisedimeve me Libanin

Azia

​Izraeli refuzon të diskutojë me Hezbollahun, është pro bisedimeve me Libanin

Më: 11 prill 2026 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, i ka thënë homologes së tij libaneze në Uashington, Nada Hamade Mouaëad, se Izraeli refuzon të diskutojë një armëpushim me Hezbollah, grup ky që shumë shtete e qeveri nëpër botë e konsiderojnë organizatë terroriste.

Sipas një deklarate të lëshuar pas kontaktit të tyre fillestar, Leiter ka deklaruar se Izraeli “ka rënë dakord të nisë negociata formale për paqe” me qeverinë e Libanit, pavarësisht se dy vendet nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike.

Është bërë e ditur se një takim do të mbahet të martën në Departamentin e Shtetit “për të diskutuar shpalljen e një armëpushimi dhe datën e fillimit të negociatave mes Libanit dhe Izraelit nën ndërmjetësimin e SHBA-së.”

Megjithatë, në të njëjtën kohë, qëndrimi i Hezbollahut nuk lë shumë vend për optimizëm, pasi organizata po mban një qëndrim gjithnjë e më të ashpër ndaj çdo dialogu me Izraelin.

Sekretari i përgjithshëm i grupit, Naim Qassem, i bëri thirrje udhëheqjes së Libanit të ndalojë ato që ai i quajti “lëshime të pajustifikuara” dhe u zotua se Hezbollahu do të vazhdojë atë që e quajti “rezistencë”, njofton agjencia e lajmeve izraelite tpsil, përcjellë KosovaPress.

Të mërkurën, kryeministri libanez Naëaf Salam urdhëroi ushtrinë dhe forcat e sigurisë të forcojnë kontrollin e plotë shtetëror mbi Bejrutin dhe të kufizojnë armët vetëm tek forcat legjitime, duke kërkuar, në fakt, që Hezbollahu në atë zonë të vihet nën kontrollin e shtetit.

Një ditë më pas, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dha udhëzim që të nisin bisedimet e paqes me Libanin, me theks në çarmatimin e organizatës së mbështetur nga Irani (Hezbollahut) dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore mes Izraelit dhe Libanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat