Zyrtarë ushtarakë nga Libani dhe Izraeli pritet të zhvillojnë më vonë sot bisedimet e tyre të para për çështje sigurie në Uashington, ndërsa përpjekjet për të ndalur sulmet vdekjeprurëse izraelite dhe avancimin e Izraelit në jug të Libanit mbeten të paqarta.
Edhe pse Libani dhe Izraeli ranë dakord kohët e fundit për të zgjatur armëpushimin që ishte vendosur në mes të prillit, sulmet izraelite janë intensifikuar. Ushtria izraelite po përparon më thellë në territorin libanez dhe ka urdhëruar të gjithë banorët e jugut të Libanit të largohen drejt veriut.
Gazeta libaneze An-Nahar njofton se është e vështirë të parashikohet “ku mund të çojnë sot në Pentagon bisedimet e drejtpërdrejta ushtarake libanezo-izraelite, nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara.”
Kryeministri libanez, Nawaf Salam, në një postim në rrjetet sociale deklaroi se “asgjë nuk mund të justifikojë sulmet e vazhdueshme izraelite në jug të Libanit,” të cilat “forcojnë vetëm vendosmërinë tonë për një armëpushim të menjëhershëm, për largimin e plotë të forcave izraelite nga toka jonë dhe për zgjerimin e autoritetit të shtetit mbi të gjitha territoret e vendit.”