Tensionet dhe sulmet e ndërsjella mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi në Jemen janë përshkallëzuar, duke shkaktuar të paktën pesë viktima, mes tyre edhe tre fëmijë.
Në Arabinë Saudite, mbrojtja ajrore interceptoi një dron të Houthive në rajonin e Taifit. Nga mbetjet e raketave humbi jetën një shtetas jemenas dhe u plagosën dy persona të tjerë. Viktima është e para e konfirmuar në territorin saudit këtë muaj.
Ndërkohë, në Jemen janë raportuar sulme ajrore nga avionët sauditë dhe forcat aleate. Mediat e kontrolluara nga Houthit raportuan dëmtime të tre kullave të telekomunikacionit në provincën Taiz dhe një civil të vrarë në Abs.
Houthit akuzuan gjithashtu forcat qeveritare jemenase të mbështetura nga Arabia Saudite për vrasjen e tre fëmijëve.
Përplasja është shoqëruar edhe me deklarata të kundërta. Arabia Saudite tha se kishte shkatërruar një dron që synonte Mekën, pretendim që udhëheqësi i Houthive, Abdel-Malik al-Houthi, e mohoi duke e cilësuar si propagandë.
Përshkallëzimi ka sjellë edhe reagime diplomatike. Irani dënoi çdo sulm ndaj vendeve të shenjta islame dhe kërkoi prova për akuzat ndaj Houthive, ndërsa Kina u ka kërkuar zyrtarëve iranianë të ndikojnë te rebelët për ndalimin e sulmeve.
Në të njëjtën kohë, Pakistani dhe Turqia po shqyrtojnë zbatimin e marrëveshjeve të tyre të mbrojtjes me Arabinë Saudite, në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë.