Ka pasur rritje të madhe të rasteve të raportuara të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Rripin e Gazës, përfshirë martesat e hershme dhe të detyruara, sipas raporteve të fundit të Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA).
Sipas një raporti të bazuar në të dhëna nga 10 organizata, kriza e zgjatur në Gaza ka krijuar kushte që rrisin rrezikun e dhunës me bazë gjinore. Rastet e raportuara të martesave të hershme dhe të detyruara u rritën me 123% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë.
Një tjetër raport, i bazuar në dëshmitë e 230 grave në kampet e zhvendosjes në Gaza dhe Khan Younis, dokumenton raste të martesave të vajzave të mitura, abuzimit dhe dhunës seksuale. Një grua tha se një 14-vjeçare ishte martuar në këmbim të dy thasëve me miell gjatë periudhës së urisë.
UNFPA thotë se vajzat e mbetura jetime gjatë luftës janë veçanërisht të cenueshme. Organizatat humanitare kanë dokumentuar raste të vajzave të martuara që kanë përjetuar abuzim dhe kanë mbetur shtatzëna, ndërsa shtatzënitë në adoleshencë janë rritur ndjeshëm, shkruan BBC, përcjell KosovaPress.
Rastet e dhunës seksuale, përfshirë përdhunimin dhe sulmet seksuale, u rritën me 61% gjatë periudhës prill-qershor 2026 dhe përbënin 2.7% të rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore, nga 2.1% në tremujorin paraprak.
UNFPA thotë se gratë e veja dhe ato, bashkëshortët e të cilave janë të ndaluar ose të zhdukur, janë veçanërisht të rrezikuara nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual. Agjencitë humanitare kërkojnë përmirësimin e kushteve të strehimit, kanalizimeve dhe ndriçimit për të ulur rreziqet për gratë dhe vajzat.