Prishtina nuk ia doli me Karsiyaka-n

Basketboll

Prishtina nuk ia doli me Karsiyaka-n

Nga: Kemajl Goca Më: 9 janar 2019 Në ora: 20:39
Pamje nga ndeshja

Klubi më i trofeshëm në vendin tonë, Z Mobile Prishtina, nuk ia doli në përballje me Pinar Karsiyaka-n, duke pësuar humbje me rezultat 107:85 (29:22, 25:22, 22:21, 31:22), në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit I të FIBA Europe Cup në basketboll.

Vendasit u treguan më energjikë dhe ishin më të saktë se sa skuadra nga kryeqendra. Në çerekun e parë u zhvillua lojë mjaft e mirë dhe bardhekaltrit u mbajtën mirë, sidomos në minutën e 5-të rezultati ishte 15:11 në favor të vendasve. Disa gabime i kushtuan Prishtinës dhe lejuan rivalin që të shkëputet në tetë pikë (20:12) në minutën e 7-të.

Çereku i parë ishte në favor të ekipit turk, ku udhëhoqën me 9 pikë (29:20). Në çerekun e dytë, lojë mjaft e mirë, por Karsiyaka në një moment shkëputet edhe në 14 pikë dallim (44:30)) pikërisht në minutën e 16-të. Pas dy minutave (18) ekipi turk thelloi epërsinë në 20 pikë (52:32), në një farë mënyre i dha edhe paksa komoditet, por Prishtina nuk dorëzohej, luftonte me mish e më shpirt, duke e ngushtuar epërsinë në 12 pikë (54:42) në minutën e 20-të.

Çereku i tretë ka qenë mjaft interesant, pasi që prishtinasit futen në presion vendasit ku ngushtuan rezultatin në 65:57 pikërisht në minutën e 28-të. Karsiyaka nuk lejojë befasi por mobilizohet dhe menjëherë ngriti epërsinë në 17 pikë (76:59). Kjo është fitorja e dytë për ekipin turk në grupin I dhe vlerësohet prej ekipeve më të forta, jo vetëm të grupit, ndërsa për Z Mobile Prishtinën është humbja e dytë dhe ka vetëm një fitore. s.Oliver Wurzburg e udhëheq renditjen me 6 pikë, pasojnë Pinar Karsiyaka me 5, Z Mobile Prishtina me 4 dhe Szolnoki Olaj me 3. Megjithatë, Prishtina ka gjasa të mëdha që të luftojë për dy vendet e para, për faktin se në konak të saj do t’i presë s.Oliver Wurzburg e Pinar Karsiyaka dhe i shkon ekipit hungarez Szolnoki Olaj. Sek Henry me 22 pikë, Assem Marei (21) dhe Ilkan Karaman me 18 ishin më të dalluarit te Pinar Karsiyaka.Ndërsa, Kyan Anderson me 26, Khalid Boukichou me 22 e Dardan Berisha me 16 pikë ishin më efikasit te Z Mobile Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat