Rahoveci gjunjëzon Z Mobile Prishtinën

Basketboll

Rahoveci gjunjëzon Z Mobile Prishtinën

Nga: Kemajl Goca Më: 5 maj 2019 Në ora: 19:07
Pamje nga një ndeshje

Ekipi i Rahovecit shkakton senzacion, gjunjëzon Z Mobile Prishtinën me rezultat 87:84 ((15:22, 26:21, 27:21, 19:20) dhe barazohet në seri të fitoreve 1:1 në kuadër të finaleve të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshje dramatike në palestrën e sportit “Mizahir Isma” në Rahovec.  Atmosferë drithëruese, mbi 2500 shikues në palestër, deri në çastet e fundit nuk dihej fituesi. E veçanta ka qenë në 44 sekondat e fundit, Rahoveci ishte në epërsi me një pikë (85:84), kjo e bënte edhe më drithëruese sfidën dhe askush nuk e dinte se si do të rrjedhin sekondat e fundit. Në çerekun e parë Prishtina ka qenë më e mirë dhe udhëhoqi me 7 pikë (15:22), por në minutat vijues rahovecianët u treguan më të përqendruar dhe shumë më të mirë. Arritën që të ngushtojnë rezultatin në dy pikë (41:43) në minutën 20-të. Drama vazhdon në çerekun e tretë. Në minutën e 22-të, Rahoveci udhëheq edhe me 6 pikë epërsi (49:43), nga ana tjetër Prishtina luftonte më mish e më shpirt që ta shmangte humbjen. Në minutën e 29-të, rezultati 60:59 në favor të vendasve, gjithnjë e më shumë elektrizohej atmosfera sportive. Rahoveci i motivuar, ndërsa Prishtina mundohej me të gjitha mundësitë. Një minutë pa mbaruar takimi Rahoveci në epërsi me 4 pikë (85:81), ngushtohej në një pikë, por në fund vendasit ishin me gjakftohtë dhe fituan me tri pikë dallim (87:84).  Fredrik Richardson me 25 pikë e Deshon Minnis me 24 ishin më të mirët në radhët e Rahovecit, ndërsa te Prishtina u shqua Dardan Berisha me 26 pikë dhe Ahmed Bashir me 25. Rahoveci barazon serinë e fitoreve 1:1 në finalen e Play-off-it.

Rahoveci-Z Mobile Prishtina 87:84
Palestra e sportit 'Mizahir Isma'.
Shikues:2500.
Gjyqtarë: D. Shehu, Xh. Mumini e E. Obërtinca.
Rahoveci: Juniku, Minnis 24, Richardson 25, Washington 11, Qallaku 11, Krasniqi, Selmancena, Jupa, Rexha, Ejupi, Stanback 11 dhe Koshi 5.
Z Mobile Prishtina: Berisha 26, Krestinin 7, Myles 17, Bashir 25, Tmucic 9, Azemi, Jakupi, Rugova, Bunjaku, Ismaili dhe Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat