KB Trepça fituese e Kupës së Kosovës për grupmoshat U-12 - Bota Sot
KB Trepça fituese e Kupës së Kosovës për grupmoshat U-12

Basketboll

KB Trepça fituese e Kupës së Kosovës për grupmoshat U-12

Nga: F. B. Më: 8 mars 2020 Në ora: 12:44
KB Trepça

Për dy ditë rresht në garat përfundimtare për Kupën e Kosovës të zhvilluar në palestrën e sporteve në Obiliq, basketbollistët e KB Trepça me paraqitjen e vetë dëshmuan potencial dhe talent premtues dhe me plotë meritë triumfuan në Kupën e Kosovës për grupmosha U-12.

Në drejtimin e ish-basketbollistit dhe trajnerit të njohur Ilir Selmani, ata patën një paraqitje dhe koordinim të shkëlqyeshëm, që jep shpresë se një nga qendrat e basketbollit në vendin tonë – Mitrovica nuk ka pse shqetësohet për të ardhmen.

Në të vërtetë fal punës së palodhshme të profesor Ilirit por edhe ndihmësve të tij, KB Trepça pothuajse në të gjitha grupmoshat ka përbërje shumë premtuese, pasi sipas tij ka talent që duhen mbështet edhe punuar me ta, për të ardhmen e sigurt të basketbollit.

KB Trepça është fituese e Kupës së Kosovës pas dy fitoreve të shënuara në ndeshjen gjysmëfinale ndaj skuadrës “Megasport” dhe në ndeshjen finale ndaj skuadrës “Marigona Hill”, ku e gjithë skuadra luajti mirë por më i dalluari ishte Rijad Ferati që ishte enigmë e pazgjidhur për kundërshtarët.

Mitrovicasit në ndeshjen gjysmëfinale ka mundur shumë “ngusht” skuadrën “Megasport” me rezultatin 41:40, në një ndeshje shumë të fortë e rivalizuese, ku fitorja u arrti fal dëshirës dhe angazhimit më të madh të basketbollistëve të KB Trepça.

Ndërkohë që në finale basketbollistët e rinj edhe shumë premtues nga qyteti i Ibrit, ishin dukshëm më të mirë se finalisti tjetër “Marigona Hill” duke shënuar fitore 51:41 dhe mos lejuar në asnjë moment rrezikimin e fitores edhe titullin kampion në Kupën e Kosovës.

Trejneri Ilir Selmani ka shprehur mirënjohje të gjithë basketbollistëve për angazhimin dhe përkushtimin në mbrojtjen e ngjyrave të skuadrës dhe në të njëjtën kohë edhe prindërve të tyre për mbështetjen, duke shprehur bindjen se edhe nga kjo grupmoshë me punë adekuate mund të dalin basketbollist premtues për të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat