Belegu: Shpresoj në fitoren e radhës, në kualifikimin për ‘Kina 2019’

Basketboll

Belegu: Shpresoj në fitoren e radhës, në kualifikimin për ‘Kina 2019’

Nga: Kemajl Goca Më: 3 gusht 2017 Në ora: 14:15
Erolld Belegu

Të mërkurën në mbrëmje Kosova ka qenë në festë basketbolli dhe në përgjithësi. Kombëtarja e Kosovës shënoi fitore të madhe me rezultat 72:68 kundër Maqedonisë, në ndeshjen e parë të grupit C të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror – Kina 2019. Atmosferë po nga tifozët ‘Dardanët’, organizim po, lojë po, tribunat përplot shikues, të gjitha ishin në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

Fitorja e Kosovës nuk ka të paguar, për faktin se ua mbylli gojën shumë skeptikëve, mbase disa nuk ua kishin edhe besën, dyshoni se mund ta mposhtin Maqedoninë.  Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, është më i relaksuar e frymon më lirshëm, madje kërkon fitore edhe në Estoni, me të cilën do të takohen me 9 gusht. Kosova ka hapur llogarinë për kualifikim, tani nuk do të jetë si autsajder, por një rival i respektuar e i frikshëm për maqedonët e estonezët.      

“Bota sot”: Kjo fitore kundër Maqedonisë, a është një sinjal se Kosova ka basketboll, di të organizojë ndeshje të këtij niveli?

Eroll Belegu: I përgëzoj për fitore. Tash po mendoj se kemi mungesë të trajnerëve respektivisht stafit, që dinë të udhëheqin basketbollin dhe kjo mendoj se është dëshmuar me ardhjen e përzgjedhësit Brad Greenberg, që ka bërë një punë të mrekullueshme dhe natyrisht ka motivuar lojtarët, i ka shti në element, ju ka gjetur armën më të mirë, dhe ajo çfarë është dëshmuar dje, është dëshmuar se Kosova megjithatë ka basketbollistë dhe basketboll.

“Bota sot”: A mendoni se kjo fitore mund ta hapë rrugën e kualifikimit?

Erolld Belegu: Ne në parakualifikime nuk kemi hyrë vetëm për të marrë pjesë, kemi hyrë që të gjejmë kualifikimin. Mendoj që kjo fitore definitivisht është një hap i duhur, tash do të presim së pari ndeshjen në mes Estonisë dhe Maqedonisë, të shtunën në Shkup, ndërsa ne në Estoni (vër. jonë me 9 gusht) do të shkojmë për fitore dhe besoj se asnjë lojtar nuk është duke menduar se jemi duke shkuar vetëm për të zhvilluar lojë, përkundrazi jemi duke shkuar për fitore. Sigurisht se do të kemi me pak presion në këtë ndeshje dhe unë besoj se do të luajmë edhe më mirë se sa që kemi luajtur.

“Bota sot”: Si e sheh më tutje kombëtaren, a është një fitore motivuese në përgjithësi dhe po e kthen basketbolli dinjitetin, kur dihet se kohët fundit shikueshmëria ka rënë nëpër klubet tona?

Erolld Belegu: Rëndësia e kësaj fitore është e shumëfishtë, unë mundem me thënë qysh dje e kemi gjetur sponsorin e Superligës me këtë fitore, qysh dje ka sponsor. Nuk ka nevojë me emra mi treguar që krijimi i një skuadre të tillë, ardhja e Erjonit (vër. jonë Kastratit) dhe Greenbergit e ndihmësve të tij, ka një kosto jashtëzakonisht të madhe për Federatën e Basketbollit. Dhe, gjithë kjo është bërë për këtë fitore dhe për këto fitore, dhe natyrisht rezultati i djeshëm është motivues për të gjithë ne që kemi punuar një kohë të gjatë për realizimin e kësaj ëndrre dhe mendoj se fitorja e djeshme do të ketë ndikim shumë shumë pozitiv ne tërësi të basketbollit të Kosovës. Unë shpresoj edhe në fitoren e radhës dhe në kualifikimin për Kina 2019. Duhet të besoj e shpresoj që basketbollin e Kosovës po e presin ditë shumë të mira.

“Bota sot”: Dihet se nuk keni lënë guri pa lëvizur në Evropë për të gjetur basketbollistët më të mirë, a mendoni se e keni gjetur edhe përzgjedhësin e duhur?

Erolld Belegu: Shikoni, besoj që po, së pari nga ajo punë qe është bërë, nga atmosfera në mes lojtarëve, se përzgjedhësi duhet të krijojë atmosferë, duhet të krijojë ekip, shoqëri. Mbrëmë kemi dalë me festuar, edhe me lojtarë që nuk luajtën as një sekondë, që nuk kanë qenë hiq në përbërje, janë shumë meritorë për këtë fitore, të gjithë ishin së bashku, të gjithë kanë festuar sikurse të ishin akterë kryesorë te asaj ndeshje, prandaj, mendoj se kjo është punë e përzgjedhësit.  Përzgjedhësi duhet të jetë komplet,  me përvojën e tij shumëvjeçare dhe këtë e ka dëshmuar dhe unë shpresoj që,  kontratën me të e kemi çelë nëse e kalojmë këtë cikël të garave, ai do të vazhdojë të jetë së paku edhe për një vjet përzgjedhës i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat