Kosova gjithë fokusin e ka nga sfida me Estoninë - Bota Sot
Kosova gjithë fokusin e ka nga sfida me Estoninë

Basketboll

Kosova gjithë fokusin e ka nga sfida me Estoninë

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 12:41
Pamje nga ndeshja Kosova-Maqedonia

Pas fitores historike ndaj Maqedonisë, kombëtarja e Kosovës tani gjithë fokusin e ka nga dueli me Estoninë, i cili do të zhvillohet të mërkurën (09.08.2017) në Tallin me fillim nga ora 17:30.

Kosova të mërkurën që e lamë pas triumfoi me rezultat 72:68 në prani të rreth 2000 shikuesve që ishin grumbulluar në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, për ta përkrahur kombëtares tonë në përballje me Maqedoninë, ndeshje kjo që i ka takuar Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Menjëherë pas triumfit ndaj maqedonasve, basketbollistët tanë i janë përveshur punës dhe janë duke punuar intensivisht në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për duelin e radhës, atë ndaj estonëve.

Pas ndeshjes në Prishtinë, në konferencën për media të organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe kapiteni, Dardan Berisha janë shprehur shumë të kënaqur me gjithë atë që ka ndodhur në duel me Maqedoninë, por në të njëjtën kohë kanë deklaruar se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që rezultati pozitiv të mos mungojë as në ndeshjen e dytë.

Një gjë është më se e qartë, e ajo se është se çdo anëtar i kombëtares së Kosovës është shumë i motivuar për gjithë atë që e pret në këtë fazë të parakualifikemeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kosova i ka edhe tri ndeshje për t’i zhvilluar në Grupin C, ku tani është mysafire e Estonisë në Tallin më 9 gusht, më pas më 12 gusht udhëton në Shkup për t’u përballur sërish me Maqedoninë, dhe krejt në fund më 19 gusht e pret Estoninë në shtëpi.

Dy skuadrat e para do të arrijnë të vazhdojnë tutje në kualifikimet për Kupën e Botës, fazë kjo e cila do të fillojë në muajin nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat