Ndotja e deteve, plastika nuk kursen as Mesdheun

Bota

Ndotja e deteve, plastika nuk kursen as Mesdheun

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 23:44
Foto ilustrim

Nivelet e mikroplastikës po rriten shpejt edhe në Detin Mesdhe, sipas një studimi të biologëve marinë, që kanë kaluar gjashtë vite duke vëzhguar shkallën e problemit.

Rezultatet alarmante nga kampionët e planktonit të marra në këtë det, janë bërë publike në një konferencë në ishullin e Ponzës, afër Napolit, në Itali.

Të dhënat vijnë nga projekti Mesdheu, një laborator lundrues që është endur në ujërat e këtij deti për të krijuar një panoramë të shtrirjes së ndotjes.

Projekti ka zbuluar sasi të mëdha mbetjesh në shtratin e detit, kryesisht në zonat ku ka rryma.

Shumë mbetje plastike që përfundojnë në det, lëshojnë mikroplastikë që gëlltitet nga peshqit, të cilët hyjnë në anën tjetër në zinxhirin ushqimor njerëzor.

“Prodhimi i plastikës në botë rritet me nëntë për qind çdo vit”, thotë profesori Adriano Madonna, një biolog i njohur detar në Universitetin e Napolit. “Kur të jetë e mundur le të kthehemi tek xhami, që mund të riciklohet dhe të heqim dorë nga plastika”, shton ai.

Ekspertët po ashtu dhanë edhe prova të reja mbi shtrirjen e ndryshimeve klimatike, me zbulimin e një alge tropikale në ishullin Egadi, në perëndim të Sicilisë./tch

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat