Dy shtetas italianë kanë humbur jetën pas një sulmi me dronë iranianë në Kuvajt, ku u shënjestrua një instalim ushtarak i rëndësishëm për mbrojtjen ajrore të vendit.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i cili bëri të ditur se viktimat ishin dy teknikë italianë që punonin për kompaninë e mbrojtjes Rheinmetall Italia.
Sipas Tajanit, dronët iranianë goditën disa instalime ushtarake në Kuvajt, mes tyre edhe një stacion të zbulimit të mbrojtjes ajrore, ku ndodheshin dy teknikët italianë. Pas shpërthimit të fuqishëm, të dy humbën jetën.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, nga sulmi u plagosën fillimisht katër persona, mes tyre dy italianët, një shtetas kuvajtian dhe një shtetas pakistanez. Më vonë, autoritetet konfirmuan se dy italianët nuk arritën t’u mbijetonin plagëve.
Ministria bëri të ditur se forcat ushtarake kishin zbuluar dhe interceptuar disa dronë në hapësirën ajrore të Kuvajtit. Nga rrëzimi i tyre, mbetjet dhe copëzat e shpërndara shkaktuan dëme materiale dhe plagosjen e personave që ndodheshin në objektin e goditur.
Ndërkohë, nga Teherani nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm lidhur me ngjarjen.
Meloni: Ngushëllime familjeve të viktimave
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shprehu ngushëllimet për familjet e dy shtetasve të vrarë.
Në një reagim në rrjetin social X, ajo tha se ishte informuar për ngjarjen gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Evropian.
“Shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë, dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave. Solidariteti im është me të gjithë personat e prekur nga sulmi dhe familjet e tyre”, shkroi Meloni.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi për sulmin, duke kërkuar shtimin e presionit ndaj Iranit.
“Duhet të shtojmë presionin ndaj Iranit për t’i dhënë fund këtyre sulmeve të papranueshme kundër fqinjëve të tij dhe partnerëve tanë në Gjirin Persik”, deklaroi ajo.
Von der Leyen theksoi gjithashtu se siguria në Gjirin Persik është një çështje që prek sigurinë e të gjithëve.
Saddened by the news of two Italian nationals killed in yet another Iranian drone attack in Kuwait. Il mio pensiero va ai loro cari e al popolo italiano We must step up pressure on Iran to put an end to these unacceptable attacks against its neighbours and our partners in the Gulf. Today’s events are yet another reminder that security in the Gulf is a matter of security for us all.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) November 26, 2026