Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se tri anije kanë goditur sot mina detare në Ngushticën e Hormuzit, mes tyre edhe një anjie cisternë që transportonte gaz të lëngshëm, raporton atsh.
Sipas Gardës Revolucionare, dy anije cisternë me nafte, goditën mina në orët e para të mëngjesit, ndërsa anija cisternë me gaz u godit pasdite.
Në një deklaratë të veçantë, autoritetet iraniane publikuan edhe një video në faqen e tyre zyrtare, për të cilën pretenduan se tregonte momentin e incidentit.
Këto pretendime nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.
Ngushtica e Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, është kthyer në një nga pikat kryesore të përplasjes në luftën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën kundër Iranit më 28 shkurt.
Irani iu përgjigj sulmeve të para me kërcënime dhe goditje, që praktikisht bllokuan trafikun detar në këtë ngushticë, një korridor jetik për furnizimin botëror me naftë dhe gaz.
Kjo situatë shkaktoi rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë në mbarë botën.
Megjithëse sulmet ajrore në shkallë të gjerë janë pakësuar ndjeshëm, konflikti vijon, ndërsa Irani po përpiqet të vendosë kontrollin mbi lëvizjen e anijeve në këtë rrugë ujore.
Marina iraniane ka paralajmëruar kompanitë e transportit detar, të mos përdorin rrugë të paautorizuara dhe të mos fikin sistemet e gjurmimit të anijeve.
Ndërkohë, ushtria amerikane prej disa muajsh, shoqëron anijet civile për të rikthyer qarkullimin e naftës dhe gazit të lëngshëm përmes ngushticës.
SHBA-ja ka vendosur gjithashtu, një bllokadë ndaj porteve iraniane, me synimin për të ushtruar presion ekonomik ndaj Teheranit.
Bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit, ende nuk kanë sjellë përparim të madh.