Rreth 820 mijë familje në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetën pa energji elektrike, gjatë Ditës së Falënderimeve, pasi një stuhi e fuqishme përfshiu bregun lindor të vendit, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të furnizimit me energji, raporton Atsh.
Sipas një faqeje interneti që monitoron ndërprerjet e energjisë elektrike, rreth 820 mijë abonentë ishin pa energji në orët e para të pasdites, sipas orës lokale.
Ndërprerjet më të shumta u regjistruan në shtetet përreth kryeqytetit amerikan, Uashingtonit.
Në Virxhinia rreth 180 mijë familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa në Merilend u prekën rreth 175 mijë të tjerë.
Edhe Pensilvania ishte ndër shtetet më të goditura, me afro 153 mijë abonentë pa energji, e ndjekur nga Misuri, ku rreth 120 mijë abonentë mbetën pa furnizim me energji elektrike.
Stuhia e fuqishme përfshiu sot bregun lindor, duke sjellë erëra të forta dhe reshje të dendura shiu.
Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar një ditë më parë, për pasoja potencialisht serioze nga përkeqësimi i kushteve atmosferike.
Pamjet nga Virxhinia treguan rrugë të përmbytura gjatë festës së Falënderimeve, një nga festat më të rëndësishme kombëtare në SHBA, kur miliona amerikanë udhëtojnë për të kaluar kohën me familjet e tyre, duke shkaktuar trafik të rënduar në rrugë.
Probleme pati edhe në transportin ajror. Aeroportet në zonën e kryeqytetit amerikan, raportuan qindra vonesa fluturimesh dhe dhjetëra anulime, duke vështirësuar udhëtimet e shumë pasagjerëve, gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të vitit.