Propozimet për vendosjen e tarifave të reja doganore vijnë pasi Shtëpia e Bardhë nisi në muajin mars një hetim mbi praktikat tregtare të vendeve të tjera, shkruan Bota sot.
Ky hetim pasoi vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit” të presidentit Donald Trump, të cilat administrata amerikane i kishte cilësuar si tarifa reciproke.
Pas këtij vendimi, Trump deklaroi se do të shqyrtonte mënyra të tjera ligjore për vendosjen e tarifave.
Në mars, SHBA-ja nisi një hetim në kuadër të Seksionit 301, për të përcaktuar nëse disa partnerë tregtarë kishin përdorur praktika të cilësuara si “të paarsyeshme ose diskriminuese”, të cilat dëmtojnë apo kufizojnë tregtinë amerikane.
Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi në atë kohë se vendi nuk do të lejojë më që baza e tij industriale të dëmtohet nga praktikat tregtare të shteteve të tjera.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të sakrifikojnë më bazën e tyre industriale për vende të tjera, të cilat mund të jenë duke eksportuar problemet e tyre me kapacitetet dhe prodhimin e tepërt drejt nesh”, kishte deklaruar Greer.
Ai shtoi se hetimet dëshmojnë përkushtimin e presidentit Trump për të rikthyer në SHBA zinxhirët kritikë të furnizimit dhe për të krijuar vende pune me paga të mira për punëtorët amerikanë në sektorët e prodhimit.
Greer theksoi gjithashtu se shumë partnerë tregtarë të SHBA-së po prodhojnë më shumë mallra sesa mund të konsumojnë në tregjet e tyre vendore.