“Më shumë se një show në Hollywood”, 67 mln lekë për Samitin tre ditor të Diasporës - Bota Sot
“Më shumë se një show në Hollywood”, 67 mln lekë për Samitin tre ditor të Diasporës

Diaspora

“Më shumë se një show në Hollywood”, 67 mln lekë për Samitin tre ditor të Diasporës

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 12:21
Ilustrim

Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion rreth 67 milionë lekë të reja për organizimin e Samitit të 2 të Diasporës në Tiranë, një fond ky i konsideruar "tepër i fryrë" nga emigrantët.

Diaspora shqiptare kudo ndodhet po përgatitet të marrë pjesë në Samitin e Diasporës që pritet të organizohet nga data 28 shkurt-2 mars në Tiranë.

Ministria e Shtetit për Diasporën fton të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të regjistrohen në portalin online, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama ka dërguar një ftesë personale mjaft prej përfaqësuesve të diasporës ku mes të tjerash shkruan se "në kuadrin ogurmirë të 575 vjetorit të Kuvendit të Lezhës, do të mbahet Samiti i 2 i Diasporës, një udhërrëfyes që pavarësisht larmisë së bindjeve vetjake dhe venddodhjes së gjithësecilit, na jep dorë ne shqiptarëve të qasemi ndaj sfidave të botës, si dhe mënyrave risiprurëse të organizimit mes nesh në përputhje me kohën."

Samiti i parë i Diasporës u mbajt më nëntor  2016, me pjesëmarrjen e mbi 1000 shqiptarëve nga 40 vende, por sot tre vite më vonë diaspora shqiptare ka ende të parealizuar pikat kryesore të kërkesave të saj ndaj qeverisë shqiptare si e drejta e votës, hapja e shkollave të gjuhës shqipe e pajisja me libra dhe për ato shkolla që janë hapur në rrugë vullnetare, apo dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare për njohjen e viteve të punës e së drejtës së pensionit për emigrantët shqiptarë në vendet ku dhe numri i tyre është mjaft i lartë si në Itali, Greqi , Gjermani.

Por ajo çka po komentohet me mjaft dyshime e habi tek emigrantët shqiptarë është kostoja e lartë e shpenzimeve për organizimin e këtij Samiti, e bërë publike vetëm pak orë më parë në portalin e samitit të Diapsorës.

66. 972.000 lekë të reja për një event treditor.

"Më shumë se një shoë në Hollywood" komentojnë shqiptarët në rrjetet sociale.

Këto shpenzime do të përballohen nga fondi rezervë i miratuar nga buxheti i vitit 2019 e në pasqyrën e zërave të ndarjes së tij lexohet: "Për organizimin e një dite aktivitet, do të merret me qira një ambient për 9 ditë të tëra me një shpenzim prej 10 875.000 lekë të reja, për skenografinë duhen mbi 17 milion lekë të reja, për mbrëmjen gala 12 milionë lek të reja dhe regjia e eventeve 1.2 milion lekë të reja".

Mjaft emigrantë shqiptarë e kanë të pamundur të konceptojnë një kosto kaq të lartë shpenzimesh për një Samit që brenda një sallë do të qëndrojë vetëm një ditë.

Mjaft prej tyre në rrjetet sociale komentojnë se kjo kosto kaq e lartë dhe e pajustifikueshme ka të bëjë me mungesën e aftësisë së menaxhimit, të tjerë e lidhin me vorbullën e akuzave të korrupsionit që ka përfshirë shoqërinë shqiptare.

Samiti i Diasporës ka në programin e tij një ditë vizitë në Lezhë ku për transportin e rreth 800 emigrantëve do të shpenzohen 10 milion lekë të reja.

"Me çfarë do të na trasportojnë nga Tirana në Lezhë, me jaht privat", komentojnë disa.

Ende nuk dihet se sa shqiptarë nga Diaspora do të jenë pjesë e këtij Samiti të dytë, kur mjaft prej tyre mbetën të zhgënjyer nga premtimet e pambajtuar në Samitin e parë.

Mungesa e së drejtë së votës, rreziku i zhdukjes së gjuhës e pasiguria e një pensioni për të jetuar në vitet e pleqërisë,  janë arsyet mëse të justifikueshme për  mospraninë e tyre në Tiranë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...