Në sofren bujare të bujtinës Vuktilaj

Diaspora

Në sofren bujare të bujtinës Vuktilaj

Nga: RITA SHKURTAJ Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 21:43
Bujtina

Tashmë jo thjeshtë një bujtinë ku miqtë (rrugtarët, shtegtarët madje edhe kureshtarët) ndalojnë me bujtë, me pushu e kalu natën, por një konak që identifikohet si ajo LAVDA e vjerrun n'gozhdë, në qoshe të forumit "KULLA E VJETËR VUKTILAJ", me taban e me tradita që vazhdon të ofrojë bujari e mikpritje si Lumi i Vermoshit që nuk do shterrojë kurrë së vërshuari drejt lindjes, duke sfiduar kështu edhe ligjet e natyrës.

Tek shijon gatimin me bereqetin e gjetur ndër ara, prona të kullës dhe nga gjëja e gjallë e rritur në kullosë alpine e me ujë borë, e të magjepsur nga pejsazhi madhështor që të servir petku vjeshtor i natyrës, këndshëm e me kureshtje pyet e dëgjon të tregohen histori të gjalla e të jetuara me mund djersë e sakrificë të mbijetesës së bijëve e bijave të rritur në këtë kullë.

Dëgjon histori rrënqethëse që ndërthuren me dinjitetin që i karakterizon të gjitha kullat e Malësisë, sidomos ato të zonave malore, e në veçanti ato kelmendase, çka len për të kuptur se në përplasjet e mëdha të erërave politike si nevojë për t'i shpëtu shfarosjes së genocideve gjakatare të sllavëve të jugut (e jo vetëm) u tërhoqën në strehat më të larta natyrore. Atje ku mbretëronin akulli e bora, ku duhej sfiduar edhe terreni i ashpër që ngjasonte me hijen e çehres së mugët të një plaku, të piklluar për pamundësinë e tij me levizë e me i shkund ndër ferishtet e konakut të gjitha mençurit e porosit e fundit për kullën e vet. Të vetëdijshëm se atje freskonte era e lirisë dhe dlirtësisë u ngjiten duke u bërë njësh me alpet, ku gjallëruan të pathyshëm me të vetmen pasuri që u nevojitej: "Të kenunit të lirë me jetu". 

U shtuan e u shumuan me gjâ e rob, si hojet e bletëve në ballë të pranverës sa sot prezantohen me familje fisnore e fise të medha, duke ruajtur traditat e zakonet që i vendosen dhe mbrojtën bashkarisht si amaneti i porosive të leçituna në kuvendet e pleqnisë prej krejt maleve të Malësisë.

E sot me flaken e pishtarit të zbehtë që ka mbetur në dyer të kullave të lanuna e të braktisuna nga fryma e gjallnume e robve, të ikur e të shtegtuar në kërkim të mirë qënies jetsore ua kanë tretur freskinë dhe gëzimin edhe këtyre alpeve. Aq sa në rrjedhë të bisedës me të moshumit e kësaj kulle e shprehin me za të mekur këtë trazim shpirti që i ka plagosur largimi i fëmijëve në dhena të huja e merzinë që kanë kur ja kthejnë shpinën kullës, me ju bashku familjes në mergim.

Megjithatë ka ende rreze shprese për t'i dhënë jetë e gjallëri kësaj kulle e krejt kullave alpine të Vermoshit, të cilat në pikun e verës mund t'i krahasojmë me vëndet më egzotike për nga numri i madh i vizitoreve, turistë vëndas e të huaj, të cilët venë e vijnë me makina e motorra nëpër ato rrugë të asfaltuara, sikur bëjnë garë me njëra-tjetrën, duke shijuar gjithçka që të ofrojnë Bjeshkët e Kelmendit. Qëndrojnë të magjepsur nga biodiversiteti alpin e largohen duke marrë me vete mbresat më të mira në kuptimin e plotë të fjalës me dëshirën e mirë për t'u kthyer sa me parë në Vermosh.

Falë ndërgjegjësimit të të rinjëve, të cilët e kuptuan rëndësinë që kanë këto kulla, për t'i mirëmbajtr e pasuruar me objekte  kulturore, duke koleksionuar gjithçka që demostron traditë, ndikoi edhe në nxitjen e kureshtjes se vizitorëve, pasi ishin ata që huazuan risinë e kohës, duke i kthyer kullat në bujtina, të cilët edhe pse në mërgim dhe në mënyrë periodike nuk ngurruan ta përqafojnë edhe turizmin malor si burim i rritjes së mirqënjes sociale në Vermosh, Kelmend e më gjërë, ku vëmëndja dhe mbështetja nuk mungoi as nga shteti.

Nëntor 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat